DURRËS, 16 tetor 2013 – Gjatë aksionit anti-kumar “Marrëzia e fundit” ka pasur dhe episode intrersante që nuk janë reklamuar, sikurse ka ndodhur në dy raste në qarkun e Durrësit, kur janë kapur dy shtetas me armë në lokale lojërash fati. Një 22-vjeçar nga Sukthi, D. B., ende nuk e kishte marrë vesh që uniformat blu po bënin aksion kundër lokaleve të paligjshme të kumarit. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrësit njofton se të hënën, më 14 tetor 2013, ora 24.00, ka arrestuar në flagrancë D. B.-në: rreth orës 17.40, gjatë një kontrolli në mjediset e një lokali lotoje sportive, iu gjet me vete në trup një pistoletë e markës moderne Ecol Special 99 (në foto), së bashku me krehrin me 6 copë fishekë. Po atë ditë, ora 22.00, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për D. K., 20 vjeç, banues në Shijak, sepse gjate kontrollit të ushtruar në një lokal bastesh sportive në Shijak, iu gjet me vete një thikë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





