TIRANË, 25 tetor 2013 – Një nga themeluesit e PD Durrës, ish-deputet i Shijakut, tani i Fierit, Sokol Olldashi u ka thënë socialistëve durrsakë se në qytetin bregdetar 69 për qind e pushtetit real i është dhënë LSI-së.

ÇETA

Gjatë diskutimit për aktin normativ për buxhetin, aspiruesi pëer kryetar të PDSH-së, Sokol Olldashi, i cili e ka dhe një damar poeti, e ka krahasuar qeverinë e majtë me një çetë: “Edhe kështu vizualisht duken si çeta e Shahinit në tablonë e [piktorit, (1876-1953) – “Dyrrah”-u] Spiro Xegës” [në foto]Por si çdo similitudë, kur zbatohet në politikë, Olldashi e ka bërë çetën me dy bashkëkryetarë Edi Ramën dhe Ilir Metën. Historikisht, çetat kanë pasur vetëm një kryetar. Por juristi-poet është i dashuruar me krahasimin: “Gjëja e parë që bëri Çeta sapo zuri vend, shpërndau anëtarët lart e poshtë nëpër Tiranë, për të shënuar me marrëzi kufijtë e zonës së tyre të veprimit, sikurse bëjnë të gjithë felinët. Së dyti, pas vendosjes së kufijve, ju bëri të qartë juve, deputetëve të Partisë Socialiste, se Çeta nuk është juaja dhe as e popullit socialist, por e Edi Ramës dhe e Ilir Metës. Shikoni ç’po ndodh në qarqet, ku ju vetë jeni deputetë. Në Durres 69 për qind e pushtetit real i është dhënë pjesës së bashkëkryetarit, LSI. Në Fier, i është dhe 71, sepse ndarja e plaçkës së pushtetit ështe pa rëndësi në nivel lokal. Çeta është qartazi e ndarë, njëra LSI, mban plaçkën e pushtetit; tjetra, PS, territorin e pushtuar dhe plaçkën në nivel qendror”.

KËRCËNIMI

Ndërkaq, poeti-jurist Olldashi bëri një gafë juridike kur kërcënoi: “E fundit gjë që dua të them për Çetën është se rëndom, kryetarët e tyre kanë problem me historinë. Dhe në këtë pikë ju rrezikoni të keni të njëjtin fat me çetën e famshme të jugut të vendit”. Madje, poeti-jurist bën dhe historianin, duke nxitur dhe përçarjet krahinore me Gegëri dhe Toskëri: “Këtej nga Shqipëria e Mesme, e dinë [Shahin Matrakun – “Dyrrah”-u] për patriot, por, po të shkosh e të pyesësh në fshatrat e Lunxhit apo Toskërisë, të thonë që ishte vetëm një bandit plaçkitës”.

INKOSEKUENCA

Ka një inkosekuencë në fjalët e Olldashit: Duke akuzuar Shahin Matrakun si “bandit plaçkitës”, ai jep të drejtë perandorisë osmane për ekzekutimin. Nga ana tjetër, në fjalën e tij ai sulmoi kryeministrin turk Tajip Erdogan: “ndërkohë që Bashkimi Europian deklaron se Shqipëria, në saje të qeverisjes së Partisë Demokratike, i ka përmbushur të gjitha kushtet për të trokitur në derën e Brukselit, Çeta evokon vokacionin otoman të vendit dhe përbetimin ndaj Portës së Lartë. Dhe ku e bën këtë?! Pikërisht aty ku u shënua akti madhor i bashkimit të shqiptarëve për të mbrojtur vokacionin e tyre perëndimor. Marrëzi të tillë, kishte plot 99 vjet, që me 1914 kur filloi kryengritja fshatare e Haxhi Qamilit, që nuk bënte asnjë shqiptar. E bëri kryetari i Çetës në takimin e djeshëm me mikun Thaçi dhe vëllain Erdogan, siç u shpreh ai”.

GJAKU “TURK”

Erdogani ishte i mirë për Olldashin më 26 qershor 2009 kur u bë përurimi i rrugës Durrës-Kukës, ku morën pjesë Berisha, Erdogani, Thaçi [në foto]. Dhe ishte përurim elektoral. Olldashi nuk u prononcua një vit më parë kur i thanë se Sokoli dhe gjithë shqiptarët paskan gjak turk. (Më 5 prill 2012 ish-Kryeministri Berisha u nis për një vizitë zyrtare dy ditore, në Turqi, me ftesë të homologut të tij Rexhep Tajip Erdogan. Në përfundim të takimit, dy kryeministrat dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku Berisha i tha homologut të Ankarasë: “Zoti kryeministër, ju falenderoj përzemërsisht për pritjen vëllazërore, e them kështu sepse kemi lidhje gjaku. Çdo delegacioni turk që takoj, i shtroj një pyetje: A ka midis tyre persona me origjinë shqiptare? Këtë pyetje do t’i drejtoj edhe kryeministrit Erdogan”).

“LITARI”

Një gafë që shqetësoi dhe deputetin e PR-së Agron Duka ishte përmendja në shtëpinë e të varurit e litarit, Haxhi Qamilit. Në vitin 2005 Duka, rikandidonte në Shijak për PS-në, por fitoi Olldashi. Shijakasi sportist, në njoftimet për shtyp, kishte akuzuar rivalin demokrat për përdorim “bandash kriminale” për të ushtruar frikë në votuesit. Duka shpalli humbjen para mbylljes së votimit. Në zonën e Shijakut ka pasur qendrën e rebelimit Haxhi Qamili.  

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/