24 tetor 2013- Selia e Frymës së Re Demokratike “tkurret” vetëm në një zyrë, atë të kryetarit të partisë, Bamir Topi. Katër muaj pas zgjedhjeve parlamentare, FRD-ja ka mbyllur të gjitha departamentet që ndodheshin në kat të tretë dhe të katërt në Pallatin e Kasmëve, që ndodhet në rrugën “George Bush”. Nga 17 ambiente me qira gjithsej, ku ka qenë e vendosur struktura e partisë, ka mbetur aktive vetëm zyra e Topit. Edhe ajo, formalisht, pasi qëndron e kyçur thuajse gjithë kohës. Kryetari e përdor rrallëherë zyrën, ndërsa në mungesë të tij nuk ka lënë ndonjë person tjetër që ta mbajë derën e partisë hapur. Kjo ka bërë që shumë militantë të painformuar për “drynin” e FRD-së të kthehen mbrapsht, ndërsa më problem duket se janë letrat zyrtare dhe ftesat e rëndësishme. Dërguesit apo postierët duan një firmë që këto letra apo ftesa janë marrë nga FRD, por në mungesë të plotë të strukturave të partisë, përfshirë kryetarin, detyrohen që t’i marrin mbrapsht. Ndërsa letrat më të thjeshta përfundojnë në katin e parë të godinës, aty ku ndodhet roja i pallatit. 

ZYRAT JEPEN ME QIRA 

Selia e Frymës së Re Demokratike u konsolidua që në fillim te Pallati i Kasmëve, disa metra larg Partisë Demokratike dhe përballë Parlamentit shqiptar. Nga sa mësohet, FRD ka patur me qira 17 ambientet që ndodhen në dy katet e fundit të godinës. Zyrat u boshatisën e u dorëzuan nga FRD në shtator dhe janë nxjerrë sërish në ofertë qiraje nga pronarët. Aktualisht çmimi i qerasë në kat të tretë është 9 euro për metër katror, ndërsa në kat të katërt, 8 euro. Kreu i FRD-së, Bamir Topi, ka mbajtur zyrën e mëparshme, atë që gjendet në katin e katërt, pra që është edhe më e lirë në çmim. Ambienti është një dhomë dhe paradhomë, por jo më shumë se 30 metra katrorë. FRD u fut në këto zyra në fund të prillit 2012, atëherë kur Bamir Topi ende nuk kishte lënë detyrën si President i Shqipërisë dhe partia ishte pa lider dhe pa struktura të zyrtarizuara. Për median shërbente si drejtues “ad hoc” Gazmend Oketa, që njëkohësisht luante shumë funksione të tjera. Topi dorëzoi mandatin në Presidencë në fund të korrikut 2012, ndërsa më 7 shtator u zgjodh zyrtarisht në krye të FRD-së. 

GODINA NGA JASHTË 

Nga jashtë Pallatit të Kasmëve, ku FRD u instalua me zyra 18 muaj më parë, duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar. Godina mbetet me ngjyrë të kuqe e ballkone të verdha. Ballina e rezidencës, aty ku nis kati i katërt, vijon të mbulohet e gjitha me logon gjigande të partisë, ku në një shirit me sfond të bardhë shkruhet me germa blu Fryma e Re Demokratike. Po në këtë shirit të madh, majtas, ndodhet edhe stema e partisë, që ka formën e flakës së qiririt dhe përbëhet nga tri ngjyra: verdhë, blu dhe e kaltër e hapur. Poshtë logos, mbi dy dritare të katit të tretë, gjendet ende një poster i FRD-së, i vendosur aty që para zgjedhjeve të qershorit 2013, ku shkruhet parulla: “Fund tranzicionit për shtetin dhe qytetarët. Voto nr.66”. Anash posterit valëviten dy flamuj, i partisë dhe ai i Shqipërisë. Ndërsa nga jashtë gjithçka ngjan si më parë, nga brenda nuk ka ndonjë informacion nëse selia do të rihapet/zhvendoset gjëkund tjetër, apo do të funksionojë vetëm me zyrën e Topit.

/PANORAMA /