TIRANE,23 tetor 2013  – Dhjetëra gjykatës në mbarë vendin janë akuzuar nga qytetarët për afera korruptive, apo dhënie të vendimeve të padrejta e në kundërshtim të hapur me ligjin. Në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, vetëm gjatë këtyre 9 muajve të 2013-ës, janë paraqitur 539 ankesa ndaj gjykatësve, ku referohen problematika të ndryshme. Zyrtarisht institucioni i KLD-së, konfirmoi faktin se pjesa më e madhe e ankesave të qytetarëve janë verifikuar dhe në përfundim nëntë gjykatës rezultojnë me shkelje të rënda në detyrë. "Për vitin 2013 numri i ankesave të ardhura është 539. Pas verifikimit të pjesës më të madhe të tyre, kanë rezultuar me shkelje të lehta 25 gjyqtarë, ndërsa për 9 raste, ku shkeljet e kryera nga gjyqtarët kanë qenë serioze, rezultatet e verifikimit, sipas procedurës ligjore, i janë dërguar ministrit të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve përkatës", tha një burim i KLD-së. Të njëjtat burime konfirmuan se 17 ankesa kanë rezultuar pa shkelje nga ana e gjykatësve, ndërsa 199 ankesa janë ende në proces verifikimi. Ndaj me shumë gjasë mund edhe të rritet numri i gjykatësve, të cilët rezultojnë të kenë kryer shkelje. 

Përplasja institucionale 

Ndërsa perceptimi për korrupsionin në gjyqësor, është tejet i lartë dhe lipset nevoja për një reformim të sistemit, mes Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, është shënuar dhe përplasja e parë institucionale. Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, në mbledhjen e fundit të Këshillit, kundërshtoi ashpër emërimin e drejtuesve të disa gjykatave, si dhe në plotësimin e disa vendeve vakante në dy Gjykata të Apelit, me arsyetimin se Këshilli nuk ka përfunduar vlerësimin e dytë të karrierës për gjyqtarët konkurrentë. Në përfundim të mbledhjes, Këshilli reagoi përmes një njoftimi për shtyp, ku theksohej se qëndrimi i mbajtur nga ministri i Drejtësisë, ka si qëllim pengimin e emërimeve dhe bllokimin fiktiv në veprimtarinë e KLD-së, në dëm të eficencës së sistemit të drejtësisë në Shqipëri. "Pretendimet e ministrit të Drejtësisë për pamundësi të zgjedhjes së drejtuesve të gjykatave apo plotësimit të vendeve vakante për shkak se KLD-ja nuk ka përfunduar vlerësimin e dytë të karrierës për gjyqtarët konkurrentë, anëtarët e tjerë të Këshillit i konsideruan unanimisht si të pabazuara në ligj, aspak realiste dhe një tentativë për ndërhyrje politike në sistemin e drejtësisë", thuhej në reagimin e KLD-së. 



/Gazeta Shqiptare/