PRISHTINE, 23 tetor 2013 – Ceremonia e inaugurimit të terminalit të ri në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” ka mbledhur bashkë kryeministrat e Shqipërisë, Kosovës dhe Turqisë. Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri shqiptar Edi Rama theksoi rëndësinë e partneritetit strategjik Shqipëri-Kosovë-Turqi, për të mirën e popullit shqiptar dhe atij turk. Duke shprehur mirënjohje për kryeministrin turk, për përkushtimin dhe mbështetjen e tij ndaj shqiptarëve, kryeministri Rama tha se zoti Erdogan është një mik dhe vëlla i pandarë në festa e vështirësi. 

“Kryeministri Erdogan është miku dhe vëllai ynë i pandarë në ditë me diell arritjesh të bukura si kjo e sotmja, por dhe në kohë të vrenjtura kur miqtë e vërtetë dallohen mbi të tjerët. Askush nuk do ta harrojë përkushtimin dhe mbështetjen e tij të paçmuar për pavarësinë e Kosovës". Kjo ceremoni është një rast kuptimplotë për të qenë krenar dhe mirënjohës për Kosovën dhe për tu krenuar gjithashtu me kryeministrin Hashim Thaçi.“Aeroporti i Prishtinës nuk mund të kishte një emër më të goditur, se sa atë të njeriut që i dha krahë ëndrrës së Kosovës së lirë e të pavarur”. “Adem Jashari është emri i krenarisë së këtij vendi dhe nga sot Kosova e re do të presë me krenari legjitime në këtë portë të qiellit të saj të lirë miqtë e vet që shtohen dita ditës. Urime me gjithë zemër të gjithëve për këtë vepër të shkëlqyer që afirmon ambicien e Kosovës, ky shtet që është vetëm 5 vjeç, por që ka renduar dhe ka kapur shumë nga koha e humbur, duke u bërë shembull admirues për rajonin. Monumenti i gjallë i kujtimit të Adem Jasharit dhe monumenti i mikpritjes së Kosovës së lirë për të gjithë miqtë dhe vizitorët e vet”,- u shpreh kryeministri shqiptar. 

Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai turk, Erdogan janë pritur me nderime të larta nga homologu Hashim Thaçi. Kryeministrat Erdogan dhe Rama kanë parakaluar para gardës së nderit në aeroport. Pas inaugurimit, të tre kryeministrat do të vizitojnë dhe qytetin e Prizrenit. Kryeministri turk vjen në këtë vizitë në Kosovë së bashku me bashkëshorten e tij me një axhendë të veçantë, e cila përfshin dhe vizita në institucione të ndryshme të Kosovës. Në delegacionin shqiptar që merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të terminalit ishte edhe Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto.

ERDOGAN NE PRISHTINE: JAM NE SHTEPINE TIME
Kryeministri Turk Rexhep Taip Erdogan përshëndeti dhe vlerësoi ndërtimin e terminalit  “Adem Jashari” në Prishtinë. Ai u shpreh se në Kosovë ndihet si në shtëpinë e vet. Sipas tij hapja e këtij aeroporti do ndikojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Erdogan u shpreh se Kosova tashmë ka një nga aeroportet më modernë të vendeve të Ballkanit. 

 “Sa herë kur vizitojmë Kosovën ndihemi si në shtëpinë tonë dhe shohim përparime të vazhdueshme. Turqia e ka njohur Pavarsinë e Kosovës ndër shtetet e para dhe do të japë kontribut të vazhdueshëm për zhvillimin Kosovës. Sepse popujt turk dhe kosovarë janë vëllezër, kemi kulturë të përbashkët me Kosovën”,-deklaroi kryeministri Turk. Ai deklaroi se edhe himni turk është shkruar nga një djalë kosovar dhe mjafton vetëm ai që Kosova ti ketë marëdhëniet shumë të mira me Turqinë. Në Kosovë jeton komuniteti turk dhe Turqia gjithmonë do të investojë për zhvillimin e Kosovës. “Sektori privat turk do të bëjë edhe investime të tjera në arsim, ndërtim dhe sektorë të tjerë . Vetëm në sektorin e ndërtimin janë investuar 800 milionë euro. Firmat janë shembuj në botë dhe investimet e tyre kanë zhvilluar Kosovën.Shpresojmë të kemi bashkëpunim edhe në të ardhmen. Turqia i jep rëndësi sigurisë. Do të investojmë për të siguruar një paqe të qëndrueshme në Ballkan. Kosova do të antarësohet në institucionet euroatlantike ne do e mbështesim. Baballarët tanë kanë vuajtur por shpresojmë që brezat e sotëm mos vuajnë. Duhet të ketë paqe, siguri dhe stabilitet në rajon. Turqia është e gatshme të japi kontribut. Me dialog dhe bashkëpunim mes vendeve do të krijohet historia. Turqia do e mbështesi Kosovën në këtë rugëtim në të gjitha fushat”,u shpreh kryeministri Turk. 

THAÇI: KOSOVA ËSHTË GATI PËR BOTËN DHE BOTA KA HAPUR DYERT PER TE 
Kryeministri kosovar Hashim Thaçi nënvizoi ambicien e tij për ta shndërruar Kosovën në një qendër rajonale të aviacionit. Në fjalën përshëndetëse në ceremoninë e inaugurimit të terminalit të ri, kryeministri Thaçi theksoi se Kosova tashmë është gati për botën dhe bota i ka hapur dyert për Kosovën. 

“Kosova është një shtet i mundësive të mëdha, i mundësive të reja, i mundësive europiane. Sot një muaj do të përurojmë autostradën më të mirë në rajon. Të gjithë së bashku po e ndërtojmë Kosovën e re, Kosovën si atdhe të të gjithë qytetarëve të saj, po ndërtojmë Kosovën e ëndrrave tona, Kosovën europiane”,- u shpreh kryeministri Thaçi.