TIRANË, 22 tetor 2013 – “Furtuna” mediatike e ish-kreut të Antikontrabandës Denion Meidani lidhur me Kurum-in, mbyllet jo me “happy end” për kompaninë turke, sikurse aludonte Meidani, por me pagesën e rreth 2 milionë euro evazion. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njofton se dega e Doganës në Elbasan, më 10 tetor 2013, për shkeljet e konstatuara gjatë kontrollit të magazinës doganore të kompanisë Kurum International, ka marrë vendimet nr. 138, 139 dhe 140, ku penalizon për kundërvajtje administrative këtë kompani me 72 244 585 lekë detyrim doganor të munguar si dhe 216 733 755 lekë penalitete, gjithsej 288 978 340 lekë. Më 21 tetor 2013 dogana e Elbasanit kishte vjelë tashmë shumën e detyrimit doganor të munguar, thotë Administrata Doganore me titullare Elisë Spiropali. Pushimi nga puna e Meidanit kaloi në një debat, që u politizua jo vetëm nga Meidani e Spiropali, por edhe nga opozita, e cila disa ditë para largimit nga pushteti, më 2 shtator 201,3 e emëroi në postin e lartë delikat. Drejtor i Përgjithshëm i Doganave ishte Flamur Gjymyshka, ish-funksionar i lartë i shërbimit sekret shqiptar kur kryesohej nga i ndjeri Bashkim Gazidede. Gazeta e PD-së nisi një sulm të ashpër, jo vetëm ndaj Spiropalit, por edhe ndaj Kurum-it dhe tërthorazi ndajAnkarasë. Prandaj edhe “Dyrrah”-u “u detyrua” ta përfshijë lajmin në rubrikën e politikës.
Info
Më 20 tetor 2013, në portin e Durrësit, për të disatën herë ka mbërritur anija Haj Yamak (në foto), që mban flamurin e Panamasë, ndërtuar në kantieret detare të Japonisë në vitin 1973. Anija është bregëzuar në kalatën 5/A (shih pozicionin me sistemin automatik të identifikimit) dhe po ngarkon 6 500 tonë shufra hekuri për eksport, prodhuar nga kompania turke Kurum International sha Elbasan. Kjo e fundit ka në portin e Durrësit një terminal kontejnerësh, magazinë doganore dhe agjenci detare.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





