22 tetor 2013- Partia Demokratike ka mbledhur sot grupin e saj parlamentar. Në fjalën e tij, kreu i PD-së Lulzim Basha ka akuzuar qeverinë Rama se kërkon ta paraqesë vendin në krizë ekonomike.

“Askush nuk ka pritur këtë ndryshim të buxhetit që paraqet rënien më drastike dhe thellimit me dorë të rëndë të borxhit publik. Ata që u çorrën kur ishin në opozitë për borxhin, dhanë lajme të rreme duke e paraqitur borxhin si gogol dhe thanë se me të ardhur në pushtet këtij gogoli do ti vinin fre tani po e trefishojnë duke marrë borxh afro 40 miliard lekë” tha Basha.

Basha gjithashtu e cilësoi aktin normativ si një fatkeqësi e madhe dhe e paparshikueshme për shqiptarët dhe ekonominë.

“Akti  është një minë me sahar kundër stabilitetit financiar, rruga e rrokullisjes drejt recesionit për herë të parë të ekonomisë që i rezistoi dallgëve të krizës globale, formula e recesionit. PD dhe mbarë opozita do të përballen në komisione dhe Kuvend me këtë akt aventuresk të qeverisë, duke i rezervuar ekspertizën më të mirë” tha Basha.

Basha e ka cilësuar aktin normativ të qeverisë për buxhetin si të paligjshëm dhe të papërgjegjshëm duke kërkuar tërheqjen e tij nga ana e qeverisë.

“Sot e akuzojmë mazhorancën për paligjshmëri pasi akti është i paligjshëm. E akuzojmë për papërgjegjshmëri, pasi nuk është parë ndonjëherë që një qeveri të luftoj krizën duke e thelluar atë. Partia Demokratike, opozita, mbarë qytetarët duhet të jetë në këmbë për të parë se ku do të përfundojë kjo shumë parash që i vidhet me këtë akt normativ buxhetit të përbashkët me justifikimin se nuk do të mblidhet. Pse keni ardhur në pushtet zoterinj, kur se bëni dot më mirë, pse planifikoni ta bëni më keq. Ne duhet të jemi në lartësinë e misionit tonë për thënë ndal shkeljes së përsëritur të ligjit, rritjes së borxhit, uljes arbitrare të të ardhurave dhe zhvatjes së tyre për xhepat e funksionorëve Jemi të bindur se përballë këtij skandali qytetetarët i kanë sytë nga opozita. Ne duhet ti themi ndal rritjes së borxhit.  Sot me zërin e opozitës kërkojmë që ky akt të kthehet prapa” shtoi Basha.