Formulari A3 del për një javë. Së paku kështu shprehet drejtori i Agjencisë Kombëtare të Punësimit, Alfons Harizaj. Harizaj pohoi për gazetën “Sot” se formulari përfundimtar për të gjithë ata që kanë mbaruar shkollën e mesme dhe kërkojnë të shkojnë në shkollë të lartë do të dalë brenda një jave. Edhe pse Ministria e Arsimit njoftoi se formulari A3 duhej të ishte bërë publik brenda datës 15 tetor, formulari ende nuk ka dalë. Ne kemi shkuar pikërisht në zyrat e Agjencisë Kombëtare të Provimeve dhe në këtë institucion gjejmë shumë persona, të cilët janë të interesuar dhe të shqetësuar rreth problemit të vonesës së këtyre formularëve që vulosin edhe fituesit e fundit në të gjitha universitetet shtetërore në vend. Një problem i madh për këta persona që presin në rradhë për një përgjigje është se ata kanë humbur deri tani më tepër se dy javë shkollë, pasi viti i ri akademik ka nisur zyrtarisht që më datë 7 tetor. Një studente që ka ardhur nga Lezha për këtë problem shprehet mjaft e shqetësuar për situatën, duke iu bërë thirrje krerëve të institucioneve që formulari A3 të dalë sa më shpejt. “I kam dhënë të gjitha provimet, si provimet e detyruara, letërsi dhe matematikë, ashtu edhe ata me zgjedhje. Kam disa ditë që vij nga Lezha vetëm për këtë problem dhe asnjëherë nuk kam mundur të marr një informacion nga vetë kreu i AKP-së. Po çmendem në shtëpi dhe jo vetëm unë jam bërë merak, por e gjithë familja, pasi ka të bëjë direkt me të ardhmen time dhe kam frikë se mos na lënë pa shkollë prandaj po interesohem për çdo ditë. Kam ardhur disa herë para derës së Agjencisë Kombëtare të Provimeve dhe për çdo ditë na thonë del nesër dhe asgjë. Prandaj dua të takoj direkt drejtorin që të na thotë tamam se kur do dalë ky formular, që është bërë problem jo vetëm për mua, por për shumë persona”, thotë Dorina Gjetaj, e cila ka mbaruar studimet në gjimnazin “Hydajet Lezha”. Të njëjtin shqetësim ka edhe Nevila Xhaeferi, e cila ka ardhur me nënën e saj që nga Elbasani disa ditë për tu informuar rreth publikimit të formularit A3. Ndërsa më e tronditur ngjan e ëma e vajzës nga Elbasani, e cila shprehet e revoltuar me situatën dhe me pritjen e gjatë që ka bërë për çdo ditë së bashku me të bijën e saj maturante. Të njëjtin shqetësim kanë të gjithë ata që presin përpara dyerve të Agjencisë Kombëtare të Provimeve, që mes ankthit presin një publikim të këtij formulari.
Shkelja e afatit
Formulari A3 është hapi përfundimtar drejt universitetit dhe iu shërben të gjithë atyre personave që kanë mbaruar shkollën e mesme dhe kanë dhënë edhe katër provime, dy të detyruara dhe dy me zgjedhje. Ky formular parashikohet që të bëhet publik me datë 15 tetor, por gjithmonë në çdo vit ka patur probleme dhe është shtyrë si afat nga ana e AKP. Sipas shpjegimit të kreut të institucionit, Alfons Harizaj, shtyrja e afatit bëhet për efekte proceduriale, pasi gjatë kësaj kohe ka tepër lëvizje të studentëve që duhet kohë të përllogariten. Sipas tij, kuotat bosh të formularit A3 mbeten për shkak se shumë persona ikin për studime jashtë vendit, ndërsa shumë të tjerë nuk shkojnë në degën ku janë shpallur fitues. Këtë vit akademik janë 3.300 kuota bosh. Formulari A3 plotësohet online.
Nevila: Kam humbur më shumë se 2 javë shkollë
Nevila Xhaferi është një maturante e cila pret me padurim që shansi ti ndriçojë në formularin A3. Ajo është nga Elbasani dhe të gjithë shpresën për një shkollë të lartë e ka vetëm në këtë formular, i cili po tejzgjatet jashtëzakonisht shumë. “Ka disa ditë që vij së bashku me mamin nga Elbasani dhe asnjë përgjigje nuk kemi marrë. Këta tek dera na përgjigjen, por asnjëherë nuk janë të saktë, vetëm drejtori e di të saktë se kur do të publikohet formulari A3. Ne presim drejtorin, i cili na thuhet se është i zënë dhe kështu që jemi të detyruar ta presim me orë të tëra për çdo ditë. Na ka ardhur në majë të hundës se kemi mbetur dyerve të institucioneve, po s’kemi çfarë të bëjmë, na ka zënë ky hall”, thotë Nevila, maturante nga qyteti i Elbasanit. Tjetër aspekt që vlerëson si negativ maturantja është se të gjitha procedurat janë shndërruar në elektronike dhe kryhen përmes internetit, gjë që nuk është e mirë, pasi jo të gjithë kanë akses në internet. Maturantja Xhaferi thotë se nuk është vetëm ajo, por shumë të tjerë që sillen rrotull këto ditë për formularin A3, ndërsa për veten shprehet e sigurtë se do ta fitojë një degë në universitet.
Dorina: Ne po presim, por kjo është e turpshme
Dorina Gjetaj, një vajzë nga Lezha është mjaft e shqetësuar për mos publikimin e Formularit A3. Ajo thotë se po çmendet nga kjo situatë e krijuar, ku mësimi në universitete ka nisur dhe ajo s’mund të jetë në bankat e universitetit. “Unë e kam mbaruar në fakt shkollën e mesme vite më parë dhe sivjet kam dhënë thjesht provimet me zgjedhje. E kam lënë për disa vite shkollën për arsyet e mia individuale dhe e hodha këtë vit. I mora edhe provimet me zgjedhje po këtë vit dhe jam krejtësisht në rregull me shtetin. Është e turpshme kjo që bëjnë këta, duke shkelur ligjet çdo vit, por që do të presim me durimin më të madh, se nuk kemi çfarë të bëjmë”, thotë vajza që ka mbaruar shkollën e mesme në shkollën “Hydajet Lezha”. Gjetaj më tej shprehet se është vërtetë e trishtuar nga situata dhe se pret me padurim publikimin e formularit, i cili është edhe shpresa e fundit për një vend në universitetet e vendit tonë. Dorina thotë se zyrtarët e AKP kanë dalë herë pas here dhe i kanë dhënë përgjigje, si asaj edhe personave të tjerë në rradhë, por shton se përgjigjet janë të gabuara, pasi gjithnjë thuhet për “nesër” dhe në të vërtetë ky avaz vijon me ditë të tëra.
Bledari: Na vonojnë dhe shpresën e fundit për në universitet
Bledar Hidri, një djalë i ri rreth të tridhjetave, që e ka mbaruar arsimin e mesëm që në vitin 2001 dhe në këtë vit shkollor ka dhënë edhe provimet me zgjedhje, thotë se edhe shpresa e fundit që ka duket se do të zgjasë më shumë nga se duhet. Sipas tij, zvarritja nuk i bën mirë askujt dhe sjell shumë mundime tek ata që konkurrojnë për një vend në shkollën e lartë. “Unë e kam mbaruar shkollën e mesme këtu e vite më parë, në vitin 2001 dhe thashë ti hyj këtë vit shkollës së lartë e kështu që dhashë edhe provimet me zgjedhje. Unë jam në rregull me çdo procedurë shtetërore, por me pikët që kam grumbulluar nuk jam i sigurt nëse do të dal fitues në ndonjë degë. Mirë që kemi ankthin tonë nëse do fitojmë apo jo, por këta na e kanë vështirësuar çdo gjë”, thotë Bledari, që duket se është në një situatë të vështirë dhe me shumë pikëpyetje për të ardhmen e tij. Ai thotë gjithashtu se ky nuk është një problem vetëm për të, por është për të gjithë ata që janë si ai, të cilët janë të shumtë në numër dhe ende se kanë të qartë se çdo të bëhet me të ardhmen e tyre.
Prindërit: Shpresojmë të marrin fund këto zvarritje
Një prind i shqetësuar, i cili ka ardhur së bashku me të birin thotë se ka ardhur disa ditë në Agjencinë Kombëtare të Provimeve dhe vazhdon ta bëjë këtë gjë, përderisa nuk ka një afat se kur do të dalin formularët A3. Sipas prindit, zvarritjet kanë qenë të zakonshme dhe është kthyer në një gjë normale, gjë që nuk duhet të ishte e tillë. “Këtu njerëzit kanë halle dhe është normale rradha, por ama shtyhen dhe nuk tregojnë qytetari. Të gjithë presin një përgjigje nga ana e drejtorit se këta të tjerët nuk të thonë gjë. Drejtori asnjëherë nuk është në dispozicion për ne dhe kështu që jemi të detyruar ta presim. Një ditë kur kam qenë këtu, unë po prisja përpara godinës drejtorin Alfons Harizajn, kur disa persona që ishin në rradhë me mua iu turrën nga pas kur ai doli nga pas derës së AKP-së dhe jo të dilte nga hyrja kryesore dhe të na sqaronte si duhet. Kjo është e paprecedentë”, shprehet me shqetësim një prind, që ka ardhur së bashku me djalin e tij për t’u interesuar për formularin.
/sot news/





