DURRËS, 21 tetor 2013 – Degradim i rëndë në familjet durrsake në fundjavë: djali rreh të atin, babai kërkon të therë të birin por plagos motrën e vet autorit të krimit, motra rreh motrën, një grua vetë-helmohet.
Në kërkim, ka shtruar në dajak të atin
Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrësit njoftoi se më 19 tetor 2013 filloi procedimi penal në mungesë për B. Sh, 20 vjeç, banues në fshatin Perlat (në përbërje të bashkisë së Sukthit bashkë me fshatrat Hamallaj, Kullë, Vadardhë, Rrushkull, dhe jo në Shijak, sikurse thotë policia e Durrësit!). Dyshohet se rreth orës 16.00 ka rrahur e dhunuar babanë e vet 42-vjeçar. U shpall në kërkim policor.
Synon të therë të birin, por plagos motrën (hallën)
Uniformat blu të Krujë kapën pas disa orë kërkimesh dhe arrestuan në flagrancë M. L., 50 vjeç, banues në fshatin Thumanë të rrethit të Krujës. Dyshohet se rreth orës 23.00, në Thumanë, gjatë një konflikti me djalin e tij, është orvatur ta godasë me thikë, por ia ka ngulur në bark të motrës, pra hallës së çunit, 38-vjeçares L. F., e cila ka ndërhyrë për t’i ndarë. Aktualisht gjendja e së dëmtuarës paraqitet jashtë rrezikut për jetën. Pas ngjarjes, autori i dyshuar i krimit u përpoq t’i shmangej hetimit dhe kapja e tij u realizua disa orë më pas në Thumanë. 50-vjeçari ka pasur disa precedentë penalë për vepra të ndryshme, i divorcuar.
Motra dhunon motrën
Më 20 tetor 2013 u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për një shtetase 53-vjeçare, banuese në rrethin Durrës, e cila pretendon se motra e saj, M. T., 63 vjeçe, ka ushtruar dhune fizike e psikologjike ndaj saj.
Grua 52 vjeçe, fund jetës me helm
Më 19 tetor 2013, ora 17.40, është dërguar në spitalin “Nënë Tereza” Tiranë, në gjendje të helmuar Kimete Omeri, 52 vjeçe, banuese në Durrës, e cila ka ndërruar jetë. Policia thotë se veprimet e para hetimore hedhin dyshime për vetëvrasje.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





