DURRËS, 20 tetor 2013 – Mjeshtri i Madh i shahut, durrsaku Erald Dervishi humb në “skakierën” politike të Shqipërisë. Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli bën “rokadë” juristësh në kreun e Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, heq Erald Dervishin, “Krenarinë e Qytetit” të Durrësit, diplomuar në Itali (Universiteti i Padova-s) dhe e ndërron me një tiranase, diplomuar në Shqipëri (Universiteti i Tiranës). I pari mbush 34 vjeç më 10 nëntor 2013; e dyta ka mbushur 45 vjeç më 12 shtator 2013.
NGA “ÇIZMJA” TEK POST-“GËRDECI”
Fill pasi ka mbaruar studimet në Apenine, në vitet 1998, Erald Dervishi, si disa durrsakë të tjerë, emërohet në dikaster nga ministri po durrsak i sapoemëruar i Mbrojtjes Gazmend Oketa, i cili zëvendësoi në këtë post kryerepublikanin e “Gërdecit” Fatmir Mediu. Oketa i besoi juristit “italian” 29-vjeçar Dervishi postin delikat të drejtorit të AKSHE-së, Agjencisë së Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (të mallrave ushtarake). Nga bota e shahut, ku ishte një figurë e padiskutueshme ndërkombëtare, Eraldit do t’i duhej të merrej me një detyrë në krye të AKSHE-së, ku nuk duhej të nënshkruante symbyllazi.
DETYRAT
Zyrtarisht, AKSHE-ja kryen të gjitha verifikimet e nevojshme, si në lidhje me dokumentacionin e paraqitur nga subjektet tregtare, ashtu dhe në analizën dhe ekspertizën përkatëse në lidhje me mallrat dhe veprimtaritë objekte të eksportit; lëshon licenca dhe autorizime ndaj personave fizikë e juridikë, të cilët kryejnë veprimtaritë tregtare të lidhura me eksportin, importin, transferimin e mallrave ushtarake apo me përdorim të dyfishtë, si dhe të teknologjive të tyre, në bazë të vlerësimit të kritereve të kërkuara ligjërisht; sanksionon në rastet e konstatimit të shkeljeve ligjore, subjektet tregtare përgjegjëse për këto shkelje; vigjilon mbi zbatimin efektiv të të gjitha masave shtrënguese apo autorizimet në raste të veçanta, për të gjitha eksportet drejt vendeve të cilat ndodhen nën embargon e armëve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara; përveç mallrave të përfshirë në listën e mallrave të miratuara, si pasojë e klauzolës ndërkombëtare “catch-all clause”, kanë nevojë për autorizim për eksport të gjitha ato mallra të cilat janë ose mund të jenë objekt i përdorimit në lidhje me armët e shkatërrimit në masë, ose të armëve konvencionale nëse do të kenë si destinacion të eksportit vendet nën embargo të armëve.
PËRFOLJA
Por nën drejtimin e Ministrit pasues të Mbrojtjes Arben Imami, shtator 2009- shtator 2013, që e mbajti në punë Dervishin dhe pas largimit të Oketës, drejtorit të AKSHE-së iu përfol emri si i implikuar në trafiqe armësh nga media dhe opozita e atëhershme, PS-ja. Erald Dervishi ka mbajtur një profil tejet të ulët politik dhe mediatik, përveç një interviste më 19 korrik 2012 në ABC News, ku hedh poshtë akuzat si të pabaza. Dervishi u shpreh se të gjitha mallrat ushtarake të eksportuara disponojnë dokumentacionet përkatëse. I pyetur për kërkesën e opozitës, ndryshe nga eprori i tij Imami, drejtori i Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve u shpreh i gatshëm për t’iu nënshtruar kontrolleve.
Info
Në moshën 13-vjeçare Erald Dervishi shpallet kampion Evrope për moshat U-14. Qëndron në mënyrë konstante në gjashtë vendet e para në të gjitha kampionatet evropiane dhe botërore për të rinj. Medalja e argjendtë në Olimpiadën Botërore të Shahut, 1998. Fitues i dhjetëra turneve ndërkombëtare në vende të ndryshme të Evropës. Në moshën 16-vjeçare merr titullin “Mjeshtër ndërkombëtar” dhe dy vjet më vonë “Mjeshtër i madh ndërkombëtar”. Në vitin 1996 bashkia e Durrësit i jep titullin “Krenaria e Qytetit”. Ka përfunduar studimet në fakultetin juridik të universitetit të Padovës (Itali) në vitin 2006. Nga gushti 2008 e e deri më 19 tetor 2013, shahisti i talentuar, Erald Dervishi mbajti postin e drejtorit të AKSHE-së.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





