Konsulli i nderit i Shqipërisë në Monako Xhuzepe Duraco i ka dhuruar kryebashkiakut Dako librin “Durazzo” ku përshkruhet historia e familjes së tij, e cila ka mbajtur emrin e Durrësit për më se katër shekuj si mbiemër për të kujtuar gjithmonë prejardhjen nga ky qytet

DURRËS, 19 tetor 2013 – Është çelur në galerinë e arteve pamore “Nikolet Vasia” ekspozita “Monako në Durrës” e piktorit autodidakt Klod Gotje (Claude Gauthier) nga Monakoja. Në sajtin e tij Gotje shkruan: “Peintre autodidacte Monégasque, j’ai partagé ma vie entre la peinture et mon travail à la Sûreté Publique de Monaco depuis 1965. Je suis membre de l’Association artistique de la Préfecture de Police depuis 1979” (piktor autodidakt nga Monakoja, kam ndarë jetën time midis pikturës dhe punës time në Sigurinë Publike të Monakos që nga viti 1965. Jam anëtar i Shoqatës artistike të Prefekturës së Policisë nga viti 1979). Veprimtaria zhvillohet nën patronazhin e lartë të Princit Albert II të Monakos dhe me mbështetjen e bashkisë së Durrësit dhe konsullatës së nderit të Shqipërisë në Monako. Në çeljen e kësaj ekspozite merrnin pjesë konsulli i nderit i Shqipërisë në Monako dhe njëkohësisht qytetar nderi i Durrësit Xhuzepe Duraco (Giuseppe Durazzo), personalitete të artit dhe kulturës të Durrësit etj. Në fjalën e tij përshëndetëse piktori Klod Gotje, pasi falënderoi për mikpritjen, u shpreh se me anë të kësaj ekspozite ai po u ofron mundësinë artdashësve dhe qytetarëve durrsakë të njihen me principatën e Monakos, pasi tematika e 30 punimeve të ekspozuara janë peizazhe të kësaj principate. Për kryebashkiakun e Durrësit, inxhinierin Vangjush Dako, Klod Gotje-ja është një piktor i njohur nga principata e Monakos. Dakoja tha se me punimet e tij të veçanta piktori nga Monako Gotje ka sjellë një ekspozitë të veçantë në qytetin tonë, e cila do të ndiqet me interes nga qytetarët. Në këtë ceremoni ka përshëndetur edhe konsulli i nderit i Shqipërisë në Monako Xhuzepe Duraco, i cili më pas  i ka dhuruar kryebashkiakut Dako librin “Durazzo” ku përshkruhet historia e familjes së tij, e cila ka mbajtur emrin e Durrësit për më se katër shekuj si mbiemër për të kujtuar gjithmonë prejardhjen nga ky qytet. Nga ana e tij piktori Gotje i ka dhuruar kryebashkiakut Dako një nga punimet e tij të fundit. Më pas të pranishmit ndoqën punimet e kësaj ekspozite që do të qëndrojë e çelur deri në 29 tetor.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/