Nga Entela Resuli

TIRANË, 19 tetor 2013 – Një drejtore lojërash fati që nuk ka hyrë kurrë në një kazino? Po! Ajo është Luneda Sufali. Është e para femër në këtë pozicion dhe dy javë m parë, nuk e kishte menduar që sot do të ishte në atë zyrë. I kërkojmë një portret për lexuesit e Ditës dhe pranon. E takojmë pas orarit zyrtar të punës, por në fakt nuk ka orar. Na duhet të presim sa përfundon një takim në kryeministri dhe ja ku e kemi përballë. Vajzë me tipare mesdhetare, e thjeshtë në pamje dhe pa make up.

Vajza që duhet të ishte…djalë

Luneda është vajza e tretë e familjes Sufali. Ka lindur njëmbëdhjetë vjet pas motrës së vogël dhe katërmbëdhjetë pas të madhes. Të gjithë prisnin të ishte “çun”. Edhe lista me emra ishte bërë gati. Luneda në atë kohë nuk kënaqi askënd, por shumë shpejt u bë e përkëdhelura e familjes. Shpjegimi i emrit të saj? Ka lindur ditën e hënë. I ati i saj, një njohës i mirë i kulturës italiane i vendosi këtë emër. Sot, shkurt i thërrasin Luna. Në shkollë ka shkëlqyer në shkencat ekzakte dhe në adoleshencë ka dashur të bëhet gazetare investigative. Madje ka filluar të punojë në një televizion lokal në qytetin e Durrësit, e më pas në një radio. Por ndikimi i dy prindërve me profesion ekonomistë ishte i fortë: studimet e larta i vazhdoi për Ekonomik dhe për këtë tashmë është e kënaqur.

Në punë që studente

Fakti që ka qenë vajza e “pleqërisë” nuk i ka dhënë asaj mundësi që ta marri jetën lehtë. Ka nisur të punojë që studente, shpesh duke bërë njëherazi disa punë: nga bankat e deri në kompani private shqiptare e të huaja. Ka përfunduar studimet e larta në vitin 2005 dhe më pas ka ndjekur një master po në këtë degë. Drejtorja e re e Agjencisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit është e para femër në një post të tillë dhe nuk ka hyrë kurrë në një kazino. “Por mua më pëlqejnë sfidat, – thotë sapo ia vëmë në dukje këtë fakt – personat që më propozuan të jem aty mesa duket e kanë kuptuar këtë. Më kanë vendosur përballë një sfide. E kuptoj përgjegjësinë, jam me këmbë në tokë. Kur mendoj se çfarë lloj tregu është, e besoj që nuk është e thjeshtë. Nuk është e lehtë, por do t’ia dal mbanë”. Si e priti familja këtë emërim? “Ime më e priti me pak rezerva, pasi iu duk pak e çuditshme që një femër të drejtonte një drejtori të tillë. Ndërsa im atë më stimuloi që të pranoja, e kam patur përherë krah – thotë Luneda.

Telefoni nuk pushon

Dy javë punë dhe është bërë menjëherë personi më i kërkuar nga aktorët e tregut të kazinove. “Jam përballur me një aksion që është përfolur shumë këto ditë. Kanë qenë ditë të ëvshtira, por kjo më ka bërë që të njohë njëherazi shumë detaje të këtij tregu”. Telefoni nuk pushon. A ka pasur ndërhyrje? “Sigurisht që kam patur – thotë znjsh. Sufali  dhe shton: “E kuptoj pse. Është një sektor ku lëvizen shumë para dhe shumë interesa, por nuk ka më miq në këto punë. Të gjithë duhet të kuptojnë që miku më i mirë është ligji”. Drejtoria e saj ka 31 persona. Nuk e dimë nëse është rastësi, pasi 31 është numër fati në lotari. Madje edhe vetë Luneda sapo ka hyrë tek 31 vjetët (30 i ka mbushur në korrik). E pyesim nëse do ketë edhe brenda drejtorisë së saj reformë. “Ka  specialistë që vlejnë nga ana profesionale, por ka një pjesë me probleme. Është bërë një audit nga Ministria e Financave, ata që janë konstatuar me shkelje do shkarkohen”. Në këtë pikë futemi në një bisedë më profesionale.

INTERVISTA

Znj. Sufali çfarë do të ndodh me kazinotë që janë bllokuar?

Pjesa më e madhe e atyre që janë bllokuar kanë përfaqësuar pjesën informate të tregut. Prej këtyre kanë ardhur dhe ndërhyrjet më të shumta. Do vijojnë të punojnë sipas ligjeve, vetëm ato që kanë respektuar deri më një detyrimet ndaj shtetit. Por duhet edhe të kemi parasysh që shumë shpejt presim të kemi disa ndryshime në ligjin për lojërat e fatit. Aktualisht ligji ndalon që lojërat e fatit të jenë pranë universiteteve, pranë institucioneve arsimore, shëndetësore, fetare dhe pranë bankave. Tani për tani mund t’ju them se ky evazion fiskal gjigand do ndalet. Bëhet fjalë për miliona. Janë para që i janë marrë buxhetit të shtetit.

Çfarë do të ndodhë me ato lojëra fati që kanë shkelur ligjin?

Aktualisht ka vazhduar të procedojë shteti mbi to. Janë mbyllur, janë konfiskuar makineritë, pastaj pjesa tjetër mbetet për një hetim të mëtejshëm të individëve që i kanë hapur.

Gjatë bisedës thamë që deri më tani ka qenë një terren i panjohur për ju. Tani që jeni futur në të, çfarë ke kuptuar si fillim?

Ndihem shumë më mirë se sa një ditë përpara se të fusja këmbën në atë ndërmarrje. Ligji është një ndihmë e madhe në raportin me ata që operojnë në këtë treg. Dalja prej tij krijon jo vetëm probleme mes operatorëve dhe shtetit, por edhe probleme ët rënda sociale për shkak të specifikës së kësaj fushe. Nëse kërkoni mendimin tim personal, unë jam për pozicionimin e lojërave të fatit dhe kazinove në periferitë e qyteteve.

A mund të quhet formale ekzistenca e një Agjencie Mbikëqyrjeje të Lojërave të Fatit në kushtet kur me sa duket vetëm mbikëqyrje nuk ka pasur që prej vitit 2008?

Drejtoritë apo institucionet asnjëherë nuk janë të kota. Të tilla mund ti bëjnë ata që punojnë në to. Kjo do të thotë që njerëzit e duhur, do të dinë t’ia nxjerrin vlerën edhe institucionit. /Sipas http://gazetadita.al/kryeministrja-e-kumarit-2/

Shënim: Titulli i shkrimit është i “Dyrrah”-ut, në origjinal “Kryeministrja e kumarit”. Botohet me ndonjë shkurtim.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/