KORÇE,19 tetor 2013 – Nuk konstaton në kohë vdekjen e foshnjës në barkun e nënës, dhunohet mjeku gjinekolog në Korçë. Sipas të dhënave të policisë, ngjarja ka ndodhur në një nga lokalet e qytetit në lagjen 10, ku Nertil Koçibelli ka fyer dhe rrahur me grushte mjekun gjinekolog Maksim Jani, i cili prej kohësh mbikëqyrte privatisht në klinikën e tij shtatzëninë e bashkëshortes së 28-vjeçarit, por pavarësisht kësaj mjeku nuk kishte konstatuar në kohë vdekjen e foshnjës në barkun e nënës. Mësohet se çifti i ri është njohur me lajmin e hidhur vetëm pak ditë para se gruaja të lindte, ndërsa fëmija kishte ditë që kishte vdekur në barkun e nënës së re, duke rrezikuar edhe jetën e saj. Pas ngjarjes 27-vjeçarja u transportua me urgjencë nga familjarët në qytetin e Selanikut ku dhe ju nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e fëmijës së vdekur dhe fatmirësisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
Policia sqaron se pas ngjarjes 28-vjeçari i ka kërkuar dëmshpërblim mjekut gjinekolog, ndërsa i rënduar psikologjikisht për ngjarjen e rëndë e ka dhunuar atë fizikisht. Policia e Korçës ka arrestuar 28-vjeçarin Nertil Koçibelli për veprën penale “goditje për shkak të detyrës”.
/balkanweb/





