DURRËS, 19 tetor 2013 – Më 19 tetor të vitit 2003, nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza, u lumturua nga Papa Gjon Pali II “në emër të të varfërve e të dashurisë për Zotin”, duke hedhur kështu hapin e parë drejt shenjtërimit të plotë të saj. Në kuadër të Ditës së Lumturimit të Nënë Terezës, shkolla 9-vjeçare “14 Nëntori” e qytetit të Durrësit ka organizuar një aksion humanitar në ndihmë të fëmijëve të “Shtëpisë së foshnjës” Durrës. Duke ditur nevojat e këtij institucioni, senatorët e qeverisë së nxënësve, nxënësit vet, stafi pedagogjik, edhe me mbështetjen e organizatës “World Vision”, vendosën të dërgojnë dhurata që përmbushin nevojat bazë të këtyre fëmijëve si dhe të institucionit si pelena, ushqim e qumësht për bebe, krem, pudër, detergjente të ndryshme, etj. Ishte për t’u admiruar pjesëmarrja e nxënësve, kontributi i dhënë nga ata si dhe zelli që ata kishin për të qenë pjesë e këtij organizimi. Kjo nismë kishte për qëllim ndihmën që u duhet dhënë fëmijëve në nevojë, por edhe kultivimin dhe zhvillimin e ndjenjës së humanizmit te nxënësit dhe sensibilizimin e të gjithë të rinjve në shkollat e qytetit për të bërë të njëjtën gjë, jo vetëm tani, por në çdo kohë. Ky aktivitet është pjesë e fushatës së ndërgjegjësimit që ka ndërmarrë qeveria e nxënësve të shkollës “14 Nëntori” për të ndihmuar personat në nevojë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





