19 tetor 2013- Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi dje nismën për hartimin e Planit Kombëtar të Territorit. Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, pohoi se vendimi më i rëndësishëm i miratuar në mbledhjen e KKT ishte nisma për hartimin e planit kombëtar të territorit. Duke folur pas mbledhjes së KKT, Gjermeni e vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë hap, që sipas saj synon t’i japë fund informalitetit dhe nisjen e një epoke të re për territorin. Gjermeni gjithashtu nënvizoi se hartimi i planit do të jetë një proces gjithëpërfshirës dhe pushteti vendor do jetë partneri kryesor.“Vendimi i parë i KKT është miratimi i nismës për hartimin e Planit Kombëtar të Territorit. Deri tani zonat informale e kanë bërë të domosdoshëm këtë plan. Synohet që në radhë të parë t’i jepet fund informalitetit. Ky proces të jetë gjithëpërfshirës por plani që të dalë nga procesi t’u shërbejë qytetarëve. Angazhim maksimal të qeverisë “Rama”, të Ministrisë së Zhvillimit dhe Turizmit. Të realizohet një plan kombëtar në interes të vendit dhe të ardhmes europiane të Shqipërisë”, tha gjatë fjalës së saj, Gjermeni. Një tjetër vendim i mbledhjes së sotme të KKT është fillimi i procedurave për hartimin e planit të integruar të përgjithshëm të zhvillimit ekonomik në hapësirën Tiranë-Durrës, ku Gjermeni siguroi se nuk do të ketë asnjë prishje të ndërtimeve me leje përgjatë autostradës.“Vendimi i dytë është një plan për zonën ekonomike të zonës Tiranë-Durrës, pasi edhe kjo zonë është prekur nga informaliteti. Hartimi i një plani të integruar për këtë zonë i shërben zhvillimit të potencialeve të kësaj zone. Duam që përmes këtij plani kjo zonë të jetë një model suksesi. Ndërkohë KKT ka vendosur marrjen e masave për rehabilitimin dhe kthimin në identitet të zonave mjedisore që janë të ruajtura, si parqet kombëtare”, theksoi ajo. Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, tha se vendimi i tretë ka të bëjë me kurorën e gjelbër të Tiranës.“Vendimi i tretë ka të bëjë me kurorën e gjelbër të Tiranës, për të bllokuar ndërtimet informale në këto zona shumë të rëndësishme”, tha ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Sipas saj, një tjetër vendim i rëndësishëm është miratimi i rregullores së Këshillit Kombëtar të Territorit, pasi nuk ka pasur një rregullore të tillë.
Pushteti vendor
Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, i është përgjigjur edhe interesit të medias, në lidhje me përfshirjen e pushtetit lokal në Planin Kombëtar të Territorit, si dhe prishjen e ndërtimeve.
“Absolutisht, pa diskutim pushteti vendor do të jetë aktor kryesor në përgatitjen e këtij Plani Kombëtar të Territorit. Jo çdo gjë do të nisë nga fillimi, por gjithçka që është bërë deri më tani të jetë pjesë e këtij procesi. Ai i njësive vendore dhe ky kombëtar të jenë pjesë e përbashkët e njëri-tjetrit”. “Do të ketë edhe masa rehabilituese lidhur me ndërtimet që janë pa leje. Ndalimi i ndërtimeve dhe rehabilitimi i mjedisit në këtë zonë. Për ndërtimet me leje nuk kemi thënë ndonjëherë që do të prishen”, vijoi Gjermani.
Koka: Do kthehen zonat e gjelbërta
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ftoi dje qytetarët të denoncojnë çdo shkelje në këto zona. Ai deklaroi se një tjetër vendim shumë i rëndësishëm është edhe ndërhyja dhe rehabilitimi i zonave të mbrojtura mjedisore. Ai tha se do të kthehen të gjitha zonat e gjelbërta që janë zaptuar.
“Një tjetër vendim shumë i rëndësishëm është edhe ndërhyja dhe rehabilitimi i zonave të mbrojtura mjedisore. Këto zona, parqet kombëtare nuk kanë qenë të mbrojtura gjatë këtyre viteve. Për të bërë rehabilitimin e tyre pika e parë është kthimi i tyre në identitet. Rehabilitimi i zonave të mbrojtura është edhe një nga rekomandimet e KE. Dua të garantoj shqiptarët se do të kthehen të gjitha zonat e gjelbra. Duam që qytetarët shqiptarë të denoncojnë shkeljen e zonave të mbrojtura”, tha Ministri Koka.
Kumbaro: Jo ndërtime në zonat e trashëgimisë
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka deklaruar dje se nuk do të lejohet më asnjë ndërtim në zonat e trashëgimisë që janë nën mbrojtjen e shtetit. Ajo tha se ky vendim vjen pas moratoriumit për 3 qytetet ku nuk do të lejohet ndërtimet.
“Një tjetër vendim është mbrojtja e zonave dhe objekteve të trashëgimisë kulturore. Është zgjeruar lista e zonave dhe objekteve që ruhen nga shtetit. Do të bëhet edhe njëherë lista e objekteve të ruajtura në të gjithë vendin. Ky vendim vjen pas moratoriumit për 3 qytetet ku nuk do të lejohet ndërtimet. Do të përcaktohen zonat A dhe B për mbrojtjen e objekteve. Duhet menaxhimi territorial i zonave të objekteve”, u shpreh Kumbaro.
Në mbledhjen e djeshme të KKT ka miratuar edhe rregulloren e funksionimit të këtij institucioni, e cila sipas tre Ministrave të majtë ka munguar deri më sot.





