Ne harkun kohor te pak minutave kane mare flake dy automjete , njeri ne Maminas dhe tjetri prane liqenit artificial ne Tirane.
18 tetor 2013-Dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin pak minuta më parë në autostradën Tiranë-Durrës, në zonën e Maminasit. Nga përplasja njëri nga automjetet ka shpërthyer në flakë. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se nga aksidenti nuk ka njerëz të lënduar. Fatmirësisht drejtuesi i automjetit që u dogj ka mundur të dalë prej tij pak minuta para shpërthimit. Për të shmangur aksidente të tjera policia ka bllokuar rrugën në të dy kahet dhe ka hapur një rrugë dytësore për të mundësuar qarkullimin.
Një tjetër aksident ka ndodhur në orët e mbrëmjes pranë liqenit artificial. Polica bën me dije se një makinë është përplasur me bordurën, ku si pasojë ka mbetur i plagosur drejtuesi i mjetit, identiteti i të cilit ende nuk bëhet i ditur. Fillimisht u lajmërua për një shpërthim të makinës, por pas hetimeve policia arriti në konkluzionin se makina kishte marrë flakë për shkak të përplasjes së fuqishme me bordurën. Kanë qenë banorët e zonës që kanë lajmëruar policinë, ku sipas tyre zhurma e përplasjes ka qenë shumë e madhe dhe se pandehën se makina kishte shpërthyer. Policia e cila ndodhet në vendngjarje po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.





