E majta formon kuorumin me 24 nga 45 këshilltarë gjithsej
· Miratohet ndihma ekonomike e muajit shtator, pagesa e paaftësisë për tetorin, si dhe zëvendësimi i ish-këshilltarit, prefektit Roland Xhelilaj
· Më 22 tetor mbledhja e radhës: projektbuxheti i vitit 2013 si dhe sistemi i pikëzimit për përzgjedhjen e familjeve që do të përfitojnë nga ndarja e 125 hyrjeve për të pastrehët
DURRËS, 18 tetor 2013 – Par rreth 10 muajsh, këshilli bashkiak i Durrësit është mbledhur të premten, më 18 tetor 2013. Por për të dytën herë radhazi mbledhja është bojkotuar nga anëtarët e djathtë. Përfaqësuesit e majtë kanë votuar të pesë projektvendimet e vendosura në rendin e ditës. Të martën pritet të miratohet shpërndarja e banesave sociale dhe buxheti për vitin 2013. Për shkak të mosmiratimit të paketës fiskale dhe buxhetit në qytetin e Durrësit gjatë këtij viti nuk është kryer asnjë investim. Duke formuar kuorumin, me vetëm 24 këshilltarë të PS, LSI dhe PDS, nga 45 gjithsej, “parlamenti” i qytetit me shumicë votash, miratoi ndihmën ekonomike të muajit shtator, pagesën e paaftësisë për muajin tetor, si dhe zëvendësimin në këshillin bashkiak të të ish-këshilltarit Roland Xhelilaj, tashmë prefekt i qarkut. Xhelilaj u zëvendësua nga këshilltari i radhës në listën e PS-së Xhevdet Hoxholli, ndërkohë që këshilltarët e majtë votuan edhe zëvendësimin e Roland Xhelilajt në këshillin e qarkut me këshilltaren e PS-së Veziko Keraj. Me shumicë votash janë miratuar edhe disa ndryshime në strukturën e bibliotekës publike, shtëpisë së foshnjës në Shkozet. Ndërkaq ditën e martë, në datë 22 tetor do të jetë mbledhja e radhës, ku do të diskutohet projektbuxheti i vitit 2013 si dhe sistemi i pikëzimit për përzgjedhjen e familjeve që do të përfitojnë nga ndarja e 125 hyrjeve për të pastrehët.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





