18 tetor 2013- Kreu i Kuvendit Ilir Meta dhe Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi u takuan në sallën e seancave parlamentare me të rinjtë e “European Union Albania”, të cilët ndodhen në Tiranë për një konferencë tre-ditore. Kryeparlamentari Ilir Meta e vlerësoi si mjaft pozitiv raportin e KE-së për Shqipërinë. Ai shtoi se roli i të rinjve është shumë i rëndësishëm për integrimin e vendit, ku vlerësoi progres-raportin si pozitiv për Shqipërinë. 
“Procesi i transformimit për ne do të thotë që do të duhet t’i përshatemi  dhe t’i zbatojmë standardet e Bashkimit Europian dhe kush më mirë se sa rinia jonë mund ta arrijë këtë?”, u shpreh Meta. 
Ndërsa ambasadori Sequi kërkoi nga të rinjtë të promovojnë idetë e tyre pasi kjo është mjaft e rëndësishme për të ecur përpara. 
“BE ka nevojë për dialog. Modeli i BE-së është i rëndësishëm për të rinjtë”, deklaroi përpara të rinjve, ambasadori i BE-se Ettore Sequi.