TIRANE,18 tetor 2013  – Jo të gjithë mjekët janë të dijeni për vizitën e papritur të kryeministrit Edi Rama në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Ka nga ata që kanë mësuar për të vetëm përmes mediave, ndërsa të tjerë thjesht kanë dëgjuar, por nuk dinë të thonë detaje të vizitës. Ndërkohë që, pas vizitës së papritur të Ramës në orët e vona të mbrëmjes së 16 tetorit, situata duket se është e qetë dhe puna vijon si një ditë e zakonshme në QSUT. Megjithatë, duket se prania e vetë kryeministrit në qendrën terciare më të madhe në vend ka pasur natyrë inspektimi për kushtet që ofron spitali. Sipas mjekut kirurg, Arben Gjata, i cili ishte edhe shefi i rojes mbrëmjen e 16 tetorit, Rama ka vizituar të gjitha sallat e pavijonit të Kirurgjisë, si dhe spitalin e Djegie-Plastikës. "Mendoj se kryeministri ka mbërritur rreth orës 21 e 30 të mbrëmjes, ndoshta edhe pak më vonë. Ai ishte në pavijonin e Kirurgjisë dhe vizitoi sallat e operacionit. Gjithashtu, jam në dijeni që ka vizituar edhe spitalin e Djegie-Plastikës", – u shpreh Gjata për "Gazeta Shqiptare". Gjithashtu, ai bëri me dije se kryeministri nuk ka pasur asnjë takim me mjekët e turnit të natës, ndërsa gjatë vizitës shoqërohej nga drejtoresha e QSUT-së, Ogerta Manastirli. "Kryeministri nuk foli me asnjë mjek. Unë pata mundësi të pyes disa prej tyre, duke qenë se isha edhe shef roje, por mjekët më komunikuan që nuk kishin pasur kontakt me kryeministrin. Ka folur vetëm me disa pacientë", – u shpreh Gjata. Pas vizitës në këto pavijone, Rama është drejtuar drejt rrugës që të çon në Drejtorinë Spitalore e më pas është larguar nga ambientet e QSUT-së. 

Reforma 

Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza" duket se është një nga prioritetet kryesore të qeverisë së re, ndërsa vëmendja duket se është fokusuar pikërisht aty. Fillimisht vetë kryeministri publikoi në rrjetin social "Facebook" disa foto, të cilat kishin në fokus situatën alarmante në të cilën ndodhet sot QSUT-ja. Ndërkohë që, teksa komentonte, ngrinte pyetjen se "çfarë lidhjeje kishin këto foto me një spital". Më pas, Rama organizoi një takim me mjekët dhe infermierët e kësaj qendre spitalore, teksa u fokusua te problematika e sistemit shëndetësor në përgjithësi dhe ajo në QSUT në veçanti. Në këtë takim, ai premtoi ndryshim të të gjithë sistemit, ndërsa kërkoi bashkëpunimin e bluzave të bardha në këtë proces.