18 tetor 2013- Një strukturë e re gradash dhe funksionesh do të zbatohet në Policinë Shqiptare që prej datës 4 tetor 2013. Ditën e djeshme është botuar në Fletoren Zyrtare vendimi i Këshillit të Ministrave, me titull: “Për përcaktimin e funksioneve korresponduese me gradat në Policinë e Shtetit dhe ekuivalentimin e tyre”. Vendimi është miratuar në mbledhjen e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, ndërsa në fund të tij shpjegohet se VKM-ja hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi në fjalë është miratuar në qeveri me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri. Pika e parë e Vendimit të Këshillit të Ministrave sanksionon ndryshimin e strukturës së gradave dhe më pas i hap rrugë ripranimit në Polici të punonjësve të larguar para vitit 2007. Gradat e tyre kanë pasur emërime të tjera dhe ky vendim qeverie, si dhe tabela bashkëlidhur, parashikon pikërisht mënyrën se si gradat e vjetra të punonjësve të larguar nga policia para 2007-s do të përshtaten (ekuivalentohen) në sistemin e ri të gradave që Policia e Shtetit ka sot. Pika e tretë e VKM-së së datës 4 tetor 2013, që u botua dje në Fletoren Zyrtare, thekson se “shtetasve që kanë përfunduar arsimin e lartë policor në Republikën e Shqipërisë apo Akademinë e Shkencave të Sigurisë në Ankara, Turqi, në momentin e caktimit në detyrë t’u jepet grada ‘nënkomisar’”. Vendimi i qeverisë, në pikën e tretë të tij u hap rrugë edhe “zhgradimeve” ndaj atyre efektivëve të Policisë që del se i kanë marrë gradat jashtë kritereve gjatë viteve të fundit. Në pikën 3.3 të VKM-së thuhet se “në rastet kur konstatohet dhënia e gradës në kundërshtim me kriteret dhe procedurat ligjore të parashikuara në momentin e dhënies së tyre, të anulohen këto akte dhe të jepet grada sipas kritereve dhe procedurave ligjore të kohës, kur ka lindur e drejta e përfitimit”.
NDRYSHIMET
Gazeta “Panorama” bëri një ballafaqim mes strukturës së gradave dhe funksioneve të Policisë së Shtetit sipas vendimit të qeverisë të datës 4 tetor 2013 me vendimin e mëparshëm, datë 12 nëntor 2007. Nga ballafaqimi i tabelave vërehet se disa grada “nuk preken”, pasi do të korrespondojnë me të njëjtat funksione si më parë. Por mbajtësit e disa gradave të kufizuara në numër do të preken pasi me sistemin e ri, “spaletat” në fjalë janë vendosur në përputhje me funksione të reja.
Kështu, mbajtësi i gradës “zv.drejtor i Përgjithshëm” do të mund të bëhet “drejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit”, strukturë e re që pritet të krijohet së shpejti. Vendimi i pak ditëve më parë përfshin në të njëjtat funksione dy gradat, “drejtues” dhe “drejtues i parë” (nga drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të vazhduar deri te specialist në Akademi)”. VKM e fundit përfshin në një kategori edhe gradën “drejtues” me gradën “kryekomisar”. Bashkimi i gradave sipas vendimit të datës 4 tetor 2013, vazhdon me “kryekomisar-komisar”, “komisar-nënkomisar” dhe “kryeinspektor-inspektor”, të gjitha këto të vendosura në kategori korresponduese me të njëjtat funksione, ndonëse janë grada të ndryshme.
/PANORAMA/





