DURRËS, 18 tetor 2013 – Një artist pamor durrsak që mbijeton mrekullisht në SHBA vjen në qytetin e vet. Prej disa ditësh në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” në Durrës është hapur ekspozita e piktorit Mir Karma, i cili rikthehet në qytetin e lindjes pas një mungese 22-vjeçare. 25 tablotë që ai ka përzgjedhur për personalen e parë në Durrës janë punuar kryesisht në Los Anxhelos, ku Karma jeton dhe punon prej kohësh. Tablotë e madhësive mesatare mbështeten të ndjesitë artistike të autorit, që herë stilizon ngjyrat e flamurit kombëtar, herë të tjera bën të njëjtën gjë me sërfistët e bregut perëndimor të SHBA. Në punimet e tij ndjehet kërkimi i gjatë si dhe ndikimi i artistëve, me të cilët punon në Venice, qytet-avangardë i kërkimit artistik pranë Santa Monikas, sipas ekspertit të kulturës Gëzim Kabashi. 43-vjeçari Mir Karma pas formimit në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli” të Durrësit si dhe në Akademinë e Brera-s në Milano jeton dhe punon që prej 13 vjetësh në SHBA. Që nga viti 1989 ai është pjesëmarrës në 27 ekspozita kolektive dhe personale. Përveç Durrësit ka ekspozuar edhe në Itali, Greqi, Londër, Nju Jork, Kaliforni dhe vende të ndryshme të Evropës. Kjo është ekspozita e tij e parë vetjake në Durrës. Gjatë kërkimit në blogun e artistit /mirkarmaART.com/, “Dyrrah”-u zbuloi një gamë të gjerë punimesh, që përfshijnë edhe dizajnin e etiketave (për shembull kantinat e verërave që janë disa në Durrës dhe rrethina mund të përfitojnë nga shërbimet e Karmës, të cilit i kanë besuar prodhues italianë), posterëve, muraleve etj. Riprodhimet e veprave në durreslajm janë marrë nga blogu i artistit, q♪7 i uron suksese në nivel ndërkombëtar.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/