DURRËS, 17 tetor 2013 – Dy trupa italiane nga Sardenja dhe Toskana, përkatësisht ASMAD dhe ADA, u paraqitën së bashku mbrëmjen e 16 tetorit 2013, duke shfaqur në premierë botërore spektaklin “Elsa”. Është shfaqja e pestë në kuadër të Festivalit VIII të Dansit Modern dhe Kontemporan, që po zhvillohet në Durrës. Drejtori i këtij Festivali, Gjergj Prevazi, tha për spektatorët në teatrin “Aleksandër Moisiu” se shfaqja e përgatitur nga artistët italianë i kushtohet një stilisteje të njohur të viteve 1930, Elsa Schiaparelli. Dy regjisoret Francesca Lettieri dhe Paola Vezossi ka përgatitur në mënyrë të pavarur dy shfaqje në nderim të stilistes, duke punuar me të njëjtin grup kërcimtarësh. Spektaklet me të njëjtin titull dhe me të njëjtin subjekt dëshmuan mundësitë e pafundme të teatrit të mbështetur te lëvizja dhe te elementë të tjerë ndihmës, thotë eksperti i kulturës, Gëzim Kabashi. Këngët e Edit Piafit apo Frank Sinatrës, që shërbyen si kolonë zanore krijuan një atmosferë të veçantë të gjysmës së parë të shekullit të kaluar, që shërbeu për dramaturgjinë e krijuar nga regjisoret, të cilat ishin protagoniste së bashku me kërcimtarët e tjerë Luka Kampanela (Luca Campanella), Gloria Dorliguco (Dorliguzzo) dhe Ulisse Romano. Shfaqja e kërcimtarëve italianë ishte një homazh për stilisten e madhe, e njohur si mjeshtre e provokimit dhe sofistikimit, të cilin e arrinte edhe përmes modës, sfilatave dhe arteve figurative.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





