DURRËS, 17 tetor 2013 – Një qendër komunitare moderne për romët në Shkozet. Më 17 tetor 2013 është përuruar qendra komunitare në zonën që njihet si zona e “Nish Tullës”. Ajo është ndërtuar në saj të bashkëpunimit të bashkisë së Durrësit dhe Programit të Kombeve të Bashkuara “Për Fuqizimin e Komuniteteve Lokale në Nevojë (FKLN)” dhe është zbatuar nga UNICEF-i (United Nations Children's Fund – Fondi i OKB-së për Fëmijët), UNDP-ja (United Nations Development Programme – Programi i OKB-së për Zhvillim), UNFPA-ja (United Nations Population Fund – Fondi i OKB-së për Popullsinë), UNV-ja (United Nations Volunteers – Programi i OKB-së për Vullnetarizmin), në partneritet me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Shqipërisë. Në ceremoninë e përurimit merrnin pjesë kryetari bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara Zineb Toumi- Benjelloun, zëvendësministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Bardhylka Kospiri, përfaqësues të organizatave të ndryshme joqeveritare si dhe banorë të zonës. Kjo qendër do t’u shërbejë rreth 2000 banorëve, nga të cilët 200 janë romë, njofton zëdhënësi i bashkisë. Në fjalën e tij Dako deklaroi se bashkia e Durrësit do të vazhdojë punën e saj në shërbim të qytetarëve dhe të mbështesë projekte që i shërbejnë komunitetit. Zëvendësministrja Kospiri tha se kjo qendër nuk është vetëm një model i sigurimit të shërbimeve të domosdoshme për komunitetin, por ajo sjell edhe modelin e bashkëpunimit pushtet vendor-donatorë, ku pushteti vendor përfshihet dhe luan rol duke ofruar kontributin real të tij në ndërtimin e kësaj qendre. Ndërsa Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara Zineb Toumi- Benjelloun u shpreh se qendra komunitare në Durrës është identifikuar nga vetë banorët si një prej prioriteteve për zhvillim. Shumë fëmijë dhe të rinj mund të ndjekin aktivitete që mundësojnë zhvillimin e tyre dhe uljen e stresit që shkakton jeta e përditshme. Kjo qendër do të jetë një mundësi e mirë për këta fëmijë dhe të rinj për t’u zhvilluar dhe socializuar me njëri- tjetrin.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/