TIRANË, 17 tetor 2013 – Pas një muaj e gjysmë, sërish tërmet në veriperëndim në Librazhdit, në fshatin Floq. Rrjeti sizmologjik shqiptar ka regjistruar lëkundje të lehta toke më 17 tetor 2013, ora 1:4:9 GMT ose ora 3:4:9 (koha e Shqipërisë +2 GMT). Dukuria tektonike ka pasur një forcë M=2.5, me epiqendër të cekët, 1 km, në fshatin Floq, 21 km në vijë ajrore në verilindje të qytetit të Elbasanit, në koordinatat 41.25°V, 20.26°L (shih hartën nr. 1 të departamentit të sizmologjisë të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit të Universitetit publik Politeknik të Tiranës, pika e kuqe).Saktësisht, dukuria sizmike është lokalizuar buzë lumit të Shkumbinit, në juglindje të fshatit Floq (komuna e Orenjës, rrethi i Librazhdit, qarku i Elbasanit), 15 km në vijë ajrore në veriperëndim të qytetit të Librazhdit (shih foton satelitore, shigjeta e gjelbër dhe hartën nr. 2, pika e kuqe). Ujërat e tërbuara të Shkumbinit nga shirat e natës vjeshtore dhe largësia nga vendi i banuar kanë bërë që të mos ndjehen lëkundjet e tokës, prandaj nuk ka pasur njoftime zyrtare për viktima apo dëme materiale.Afërsisht, në të njëjtin vend, në koordinatat 41.24°V, 20.28°L, më 4 gusht 2013, ora 1:18:32 (koha e Shqipërisë), ka rënë një tërmet me magnitudë M=2.5, epiqendra në thellësinë 7 km.

Info

Komuna Orenjë ka nën juridiksion fshatrat Orenjë, Floq, Gurakuq, Ballgjin, Rinas,  Zdrajsh-Veri, Zdrajsh, Neshtë, Mexixë, Funarës.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/