Qendra e Zhvillimit të Personave me Aftësi të Kufizuara në Durrës vihet përballë dyshimeve të reja për dhunë ndaj të strehuarve në këtë rezidencë, ndërkohë që kjo nuk është hera e parë që është përfolur për abuzime të ndryshmeDhunimi i 17-vjeçares autike, dyshime edhe për shoqen e saj . D. Mullaj ka dy javë që nuk dërgohet në shkollë. Qendra hesht.Vajza e re nuk frekuenton shkollën prej dy javësh dhe thuhet se ka dëmtim në krahun e djathtë.
Reagimet
Qendra – Drejtoresha e qendrës, Rudina Ndreka, tha se është pushim dhe në një drekë familjare, duke deklaruar se të mërkurën mund të diskutohet me të dhe stafin e qendrës mbi rastin
Shkolla – Pas drejtoreshës së qendrës, u kontaktua Shkolla Speciale e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara, që ndonëse ishte ditë pushimi, nuk ngurroi të japë informacion mbi rastin
Vali Qyrfyçi
Shpresa Mezini
Rasti i dhunës ndaj vajzës autike Xh. Juba në Qendrën e Zhvillimit të Personave me Aftësi të Kufizuara në Durrës, duket se nuk është i vetmi, pasi dyshohet se gjatë dy javëve të fundit është dhunuar edhe një vajzë tjetër, shoqe klase me të parën. Vajza adoleshente D. Mullaj ka dy javë që nuk frekuenton shkollën, pasi dyshohet se ajo ka shenja dhune në trup, ndërkohë që qendra ku ajo strehohet, nuk ka pranuar të japë ndonjë prononcim zyrtar mbi rastin e dytë, duke deklaruar se do të përgjigjet sot, pasi ishte në një drekë familjare.
Por, ndërsa disa zgjedhin heshtjen, të tjerë flasin për gazetën “Shqip”. Burime nga ky institucion ngurrojnë të identifikohen, por pranojnë të tregojnë se parapara prillit të 2013-ës në këtë qendër janë kryer veprime të tmerrshme, duke shkelur rregulloren e brendshme por edhe duke cenuar rëndë të drejtat e fëmijëve me paaftësi, të cilët të pavetëdijshëm për sjelljen e tyre, kanë ulur kokën dhe kanë bërë punët që duhet të bënin punonjësit e qendrës, pa bërë zë…
Rasti i dytë
Pas rastit të dhunës fizike ndaj 17-vjeçares në Durrës, në bazë të informacioneve të mbërritura pranë redaksisë së gazetës “Shqip”, dyshohet se është dhunuar edhe një vajzë tjetër, rezidente në qendër dhe shoqe klase me të. Rasti i Xh. Jubës ka vënë në lëvizje dhe persona të tjerë që raportojnë mbi atë që ndodh brenda mureve dhe trajtimin që u bëhet personave me aftësi të kufizuara në institucionet e kujdesit të specializuar. Në bazë të informacioneve, D. Mullaj, për shkak të dhunës së ushtruar mbi të, nuk frekuenton shkollën prej dy javësh dhe ka dëmtim në krahun e djathtë. Gazeta Shqip kontaktoi menjëherë drejtuesen e Qendrës së Zhvillimit, ku qëndron D. Mullaj për të verifikuar rastin konkretisht, por nuk mundi të marrë informacione. Paraprakisht, drejtuesja e qendrës tha se nuk kishte informacion mbi rastin në fjalë, ndërsa pranoi që Mullaj është një nga rezidentët e qendrës. Në një komunikim të mëpasshëm telefonik, ndërsa në qendër nuk lejohet hyrja e personave të jashtëm pa autorizim, drejtoresha Rudina Ndreka tha se është pushim dhe në një drekë familjare, duke deklaruar se të mërkurën mund të diskutohet me të dhe stafin e qendrës mbi rastin. Pas kësaj, u kontaktua Shkolla Speciale e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara, që ndonëse ditë pushimi nuk ngurroi të japë informacion mbi rastin. Drejtoresha e shkollës, Arta Çerçizi, duke iu referuar mësuese Mirelës, sqaron se Mullaj me fillimin e vitit shkollor 2013 është shfaqur shumë agresive me nxënësit e tjerë, të cilët i godiste. Por ajo nuk është dërguar më në shkollë. Mësuesit kanë konstatuar një agresivitet të shtuar të vajzës në krahasim me vitet e tjera shkollore, ndaj kanë kontaktuar psikologen e Qendrës së Zhvillimit që të kujdeset për vajzën, në mënyrë që të mos dëmtojë nxënësit e tjerë. Në shkollë, agresivitetin e vajzës e lidhin edhe me pubertetin dhe ndryshimet që ai sjell.
Problematika
Megjithatë, nuk është hera e parë që kjo qendër ka pasur probleme të ndryshme. Nga të dhënat e siguruara nga gazeta Shqip, rezulton se përpara prillit të vitit 2013, kur në krye të qendrës për fëmijët me paaftësi ishte një tjetër drejtoreshë në detyrë, post që e ka mbajtur për rreth 6 vjet, punonjësit e qendrës i zgjonin fëmijët në orën 05:00 të mëngjesit për të bërë punët që ata vetë duhet të bënin. Të lara, të shpëlara, gjithçka për të cilën kishte nevojë institucioni, në një kohë që punonjësit e qendrës paguheshin për një shërbim që në fakt nuk e kryenin. Burime nga qendra për personat me aftësi të kufizuara bëjnë me dije për gazetën Shqip, se drejtoresha që ka drejtuar këtë institucion për rreth 6 vjet me radhë, deri në prill të këtij viti, është shkarkuar nga detyra për shkak të auditit, i cili ka konkluduar se ajo kishte kryer shkelje të rënda si ndaj institucionit ashtu edhe ndaj fëmijëve. “Ajo ka kryer shkelje të rënda me dietat e fëmijëve. Atyre nuk u jepte për të ngrënë, ndërsa dietat e tyre i çonte në shtëpinë e saj. Disa vjet më parë, konkretisht në ditën kur të gjithë besimtarët myslimanë festonin Bajramin, drejtoresha e asaj kohe, të gjitha frutat, ëmbëlsirat i mori me vete në shtëpi, ndërsa fëmijët nuk hëngrën asgjë. Për të mos folur për blerjet e tjera operative që gjithashtu shkonin për fëmijët e saj, jo për fëmijët e qendrës, për të cilët investoheshin këto para”, sqarojnë burime nga qendra në Durrës. Ata thonë se buxheti i akorduar për këtë qendër arrin në 40 milionë lekë të vjetra në vit, nga të cilat rreth 30 mln shkojnë për ushqimin, ndërsa pjesa tjetër për pagesat e energjisë elektrike, ujit, detergjentit etj. Të njëjtat burime theksojnë se në prill të vitit 2013, kur drejtoresha në fjalë u shkarkua nga detyra për shkak të këtyre shkeljeve, qendra ishte me 15 milionë lekë borxh.
Dyshimet
Në qendër, njerëz të paspecializuar
Nisur nga dyshimet e shumta për dhunë ndaj personave me aftësi të kufizuara që strehohen në Durrës, disa prej ish-punonjësve kanë hedhur dyshimet se aty mund të punojnë njerëz të paspecializuar, megjithëse kjo nuk është e konfirmuar dhe e verifikuar. Një ish-punonjëse e Qendrës së Zhvillimit thotë për gazetën se agresiviteti i rezidentëve të qendrës, përveç gjendjes së tyre të rënduar fizike dhe mendore, rëndohet edhe nga mënyra se si trajtohen në këtë qendër. Ajo u referohet viteve të kaluara, kur personat me aftësi të kufizuara keqtrajtoheshin nga pjesëtarë të stafit, pa dashur të përfshijë stafin e sotëm, por dyshon se ka prej atyre që punojnë në qendër që nuk janë të specializuar për të trajtuar dhe komunikuar me personat me probleme. Nisur nga e kaluara lindin dyshimet se mund të ketë sërish njerëz të tillë që merren me këta fëmijë. Por kjo pritet të vërtetohet edhe nga inspektimet që kanë nisur me urdhër të ministrit, pas publikimit në gazetën Shqip të rastit të dhunës ndaj 17-vjeçares autike.
Dhuna ndaj autikes
Policia: Ekspertiza zyrtare dorëzohet sot
Policia nuk ka marrë ende në dorë konkluzionet përfundimtare për ekspertizën e kryer nga Mjekësia Ligjore ndaj 17-vjeçares autike, ndërkohë që ajo pritet të dorëzohet zyrtarisht sot, duke treguar përfundimisht se nga se janë shkaktuar shenjat e dhunës në pjesë të ndryshme të kokës dhe të trupit të saj. Deri tani, nga grupi hetimor janë ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore e procedurale dhe në këtë kuadër është pyetur i gjithë stafi pedagogjik i shkollës, si dhe ai i qendrës së zhvillimit në të cilën akomodohej fëmija në Durrës. Nga të dhënat hetimore të grumbulluara deri tani, sipas policisë, rezulton se dëmtimet fizike të Xh. Jubës janë shkaktuar gjatë pushimit mes orës së parë dhe të dytë të mësimit në shkollë, por askush në këtë shkollë nuk di të thotë se çfarë ka ndodhur realisht me vajzën. Fillimisht policia nuk kishte nisur procedim penal, duke e konsideruar një dëmtim aksidental atë të 17-vjeçares në ambientet e shkollës. Ndonëse babai i saj deklaron se e ka denoncuar në polici rastin që ditën e premte, më 11 tetor, kur dhe është njoftuar nga personeli i Qendrës së Zhvillimit, në komunikatën ditore të dy ditëve më parë thuhej se babai i vajzës ka bërë kallëzim në datën 13 tetor pranë Komisariatit të Policisë Durrës. Denoncimi i babait të vajzës edhe përmes gazetës Shqip, ka rikthyer vëmendjen te rasti, fillimisht të ministrit Erion Veliaj që ka dërguar ditën e diel përfaqësues të tij për të ndjekur nga afër rastin dhe më pas edhe nga Ministria e Arsimit.
http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/10/16/zgjonin-ne-pese-te-mengjesit-dhe-detyronin-te-benin-punet/#.Ul5o9Mru8wk.facebook





