TIRANË,16 tetor 2013 – Ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, i ka dorëzuar sot pasdite, Kryeministrit Edi Rama, Raportin e Progresit për Shqipërinë, miratuar sot nga Komisioni Europian. Rama, duke e marrë në duar këtë raport, ka deklaruar para medias nga Kryeministria se për herë të parë po flitet për mundësi reale anëtarësimi të Shqipërisë në BE.
Rama dhe Sequi kanë dalë së bashku para medias, duke deklaruar: i pari, se nuk do të shpalosë asnjëherë superioritetin për këtë arritje dhe i dyti, Sequi, se fjala "gjithpërfshirje" është kyçi i këtij procesi.
Rama tha në konferencën për shtyp se "“Nuk ka asgjë për të festuar! E kam thënë këtë kur kam qenë në krye të opozitës e them këtë po njësoj sot, në krye të qeverisë. S’ka dyshim se lajmi i sotëm është inkurajues, por koha e rrahjeve të gjoksit dhe të daulleve qeveritare me dokumentat e integrimit evropian në vend të shamive të valles, ka mbaruar në 23 qershor.Ka mbaruar në 23 qershor edhe koha e mitingjeve qeveritare me këngëtarë të paguar nga shteti për t’i paraprirë daljes të kryeministrit liberator.
S’ka dyshim se në 23 qershor ka mbaruar edhe koha e qeverisë që punon për ta çuar Shqipërinë në Evropë dhe opozitës që saboton integrimin evropian. Për ne as propozimi i sotëm për statusin, as statusi vetë dhe as hapja e bisedimeve për anëtarësim, nuk janë arsye për të treguar asnjë lloj superioriteti moral apo patriotik ndaj opozitës.
Ky proces shumëvjeçar drejt anëtarësimit ka qenë për çdo vend më i gjatë se jetëgjatësia e një qeverie të vetme dhe në çdo vend, kush më shumë e kush më pak, ka pasur meritat e veta. Shkurt, ne jemi të inkurajuar sot nga propozimi i Komisionit Evropian dhe çdo shqiptar pa dallim duhet të ndjehet i inkurajuar.
Zgjedhjet e 23 qershorit ishin de facto kushti i papërmbushur i dhjetorit të shkuar, sikundër ne e lexojmë qartë atë që nuk donin të lexonin paraardhësit tanë vjet, kur bëhet fjalë për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si diçka e vetëkuptueshme bashkëlidhur me propozimin për statusin.
Risia e madhe e kësaj here, është se për herë të parë Raporti i Progresit flet për mundësinë reale të hapjes së bisedimeve për anëtarësim vitin e ardhshëm nëse përmbushen disa kushte themelore – me të cilat ne jemi 100% dakord.
S’ka dyshim se më vjen mirë po ashtu që Raporti i Progresit flet qartë edhe për aktin normativ që nesër i paraqitet Kuvendit dhe besoj se çka shkruhet në raport lidhur me këtë, mund të jetë një pikë shumë e besueshme referimi për opozitën që të reflektojë mbi mundësinë e votimit të aktit normativ. Në fund, por jo për nga rëndësia, dua të falenderoj shumë përzemërsisht, Ambasadorin Sequi për gjithçka bën,”- përfundoi Rama.
Ambasadori i BE-së, Ettore Sequi veçoi në fjalën e tij para medias se procesi i integrimit është gjithpërfshirje, është përpjekje kombëtare.
“Sic e theksoi edhe z.Kryeministër, në mënyrë që Shqipëria të kalojë në çeljen e negociatave, është e nevojshme të përmbushë reformat. Ky proces ka fuqi transformuese për vendet që e kalojnë atë, ashtu edhe për Shqipërinë. Progres Raporti është një skanim i situatës.
Isha veçanërisht i kënaqur kur dëgjova nga Kryeministri fjalën “gjithpërfshirje” dhe dëshiroj që me këtë rast të shpreh disa ndjenja që ne i kemi përjetuar në Bruksel. Është e drejtë që sot të njihen edhe ato suksese, që janë arritur nga ajo palë që sot është në opozitë. Është thelbësore dhe duhet theksuar se procesi duhet të mbetet një projekt gjithpërfshirës. BE-ja është plotësisht e angazhuar për të mbështetur Shqipërinë në përmbushjen e reformave dhe integrimin në BE





