Nga Xhevo Gradica
Durrës, 15 Tetor 2013– Muzeu arkeologjik prej dy-tre vitesh vijon të jetë fare pak i frekuentuar nga vizorë vendës dhe të huaj. Përpjekja për të përfunduar rikonstruksionin edhe për katin e tretë si dhe nxjerrja në dritë e të gjitha objekteve të strehuara në magazinë ka qenë më shumë e vaktë sesa aktive. Drejtues të muzeut më shumë u ka interesuar hapja e një lokali në këtë godinë sesa për të kryer ekspozimin e objekteve shumë të vlefshme dhe me rëndësi të jashtëzakonshme në Durrës. Punimet në këtë objekt janë shoqëruar me ngadalësi dhe shkrehje të plotë, në një kohë që arkeologë, restauratorë dhe punonjës të tjerë vazdhojnë të mbajnë gojën e mbyllur. Thuajse të gjitha objektet që pritet të vendosen në kënde të dukshme në katin e tretë të muzeut arkeologjik, janë pak të njohura për kureshtarë dhe frekuentues të muzeve të tillë ndaj edhe rëndësia e tyre ka peshë të dukshme. Megjithatë nuk duket askund se gjërat do të ndryshojnë për të mirë. Specialistë që e njohin më së miri mënyrën se si funksionojnë gjërat në këtë “institucion” më shumë rëndësi i është kushtuar hapjes së një lokali për të pirë kafe, sesa përshpejtimit të punëve për t’i dhënë fund zvarritjes së zgjatur dhe neglizhencës së qëllimtë. Të punësuarit kanë vendosur të qëndrojnë gojëkyçur nisur edhe nga një përvojë aspak e këndshme e tyre. Dy restauratorë me emër shumë të mirë janë larguar nga puna pa më të voglin motivacion. Pushimi tyre nga puna u anashkaluar lehtësisht pasi asnjë punonjës nuk ngriti zërin dhe as nuk denoncoi. Restauratorët iu drejtuan gjykatës e cila vendosi t’i rikthejë në punë të dëbuarit pa shkak dhe pa arsye. Nisur nga pohime jozyrtare është thënë se për punonjësit e larguar nuk ka variante pune, pra nuk kanë se ç’të bëjnë. Por vetëm një javë më parë specialistë të huaj që e vizituan monumentin e shekullit të 2 të erës sonë, Amfiteatrin, dhanë alarmin për gjendjen e disa objekteve një pjesë e të cilave në gjendje skandaloze. Konkretisht ata kërkuan nga institucionet shtetërore shqiptare të ndërhyjnë sa më parë për të shpëtuar mozaikun mural në Amfiteatër i cili rrezikontë shuhet plotësisht për shkak të lagështirës disavjeçarë që e ka dëmtuar. Edhe tani që këmbana e alarmit ka rënë gjithandej në Durrës nuk duket se ka lëvizur asgjë tek muzeu arkeologjik i cili duhet t’i gëzohet vetëm lokalit për të pirë kafe. 104 milion lekë janë dhënë për të mbyllur përfundimisht rikonstruksionin e katit të tretë. Fondi është dhënë nga Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sportit.. Projekti parashikon rikonstruksion të pjesës së jashtme, rregullimin e plotë të fasadës, izolimin e taracës, rehabilitimin e sheshit para muzeut. Muzeu arkeologjik i Durrësit ruan në vetvete objekte tepër të rralla dhe shumë me vlerë për historinë, kulturën dhe arkeologjinë. Fondi për rikonstruksion është vlerësuar si nevojë e ngutshme, por edhe tani pas tre vitesh nga koha e nisjes së rikonstruksionit, situata vijon të jetë si dhe më parë. Objekte të tjera të vizituara në Durrës janë edhe forumi rrethor, termat romake, hamami, xhamia Fatih, bazilika e Arapajt dhe pusi i Top Hanës. Drejtoria e monumenteve të kulturës në Durrës ka në ruajtje gjitshej 36 objekte me vlerë, të cilat gjenden në një zonë që nis nga Durrësi dhe që përfundon në qytetin e Peqinit.
http://bulevardionline.com/20-mije-ekzemplare-te-paekspozuar-ne-muzeun-arkeologjik-ne-vend-te-restaurimit-lokal-per-kafe/





