TIRANË-Një operacion i gjerë i policisë ndaj lojërave të fatit ka nisur në të gjithë vendin. Operacioni ka nisur rreth orës 17:00 në cdo qytet e komunë ku operojnë kazino dhe pika të ndryshme të lojërave të fatit.
Në operacion, Policia e Shtetit ka angazhuar rreth 6 mijë efektivë kurse Drejtoria e Tatimeve, dhjetra inspektorë tatimorë në përpjekje për zbulimin e lojërave të fatit që u janë shmangur detyrimeve tatimore.
Ky është operacioni më i madh i ndërrmarë ndonjëherë ndaj aktiviteteve të lojëravë të fatit, sic janë pikat e basteve, llotot, kazinotë etj.
Korcë
Në qarkun e Korçës janë të paktën 100 efektivë në rajonin juglindor ndaj të gjitha pikave të lojërave të fatit. Operacioni vijon qetësisht në Kolonjë, Pogradec, Korcë e rajonin e Devollit.
Durrës
Operacioni i gjerë është shtrirë dhe në qarkun e Durrësit ku ka pasur dhe sekuestrim të disa kompjuterëve dhe makinave të lojërave të fatit, objekte që nuk kanë qenë të regjistruara dhe certifikuara.
Fier
Edhe në Qarkun e Fierit, drejtoria e përgjithshme e Policisë së bashku me tatimorë dhe forca të ndërhyrjes së shpejtë kanë nisur aksionin në terren ndaj cdo pikë të lojërave të fatit. Po kryhet verifikimi i dokumentacionit dhe licencave të cdo pajisje të lojërave të fatit.
Nga 93 pika lojërash fati në Fier, janë proceduar 7. Janë bllokuar 2 pika në Lushnjë, 1 në Mallakastër.
Vlorë
Ashtu sikundër në cdo Qark, dhe në Vlorë nisi super-aksioni ndaj evidentimit të pikave të lojërave të fatit me probleme. Janë rreth 90 efektivë policie që kanë nisur kontrollin së bashku me tatimorë dhe ndërhyrjen e shpejtë, në cdo rrugicë e lagje. Zona më e populluar me kazino është zona e Skelës, por problemi më i madh janë pikat e basteve dhe lotove sportive të hapura në rrugica e lagje të vogla ku tatimorët kanë pasur vështirësi në identifikimin e tyre
Elbasan
Gjatë kontrollit që ka nisur në Elbasan rreth orës 17:00, ndërsa janë kontrolluar 42 subjekte te tipit kazino dhe pika bastesh, ku rezultuan 22 subjekte të bllokuara. U sekuestruan 100 makineri kompjuterike dhe 30 TV plazma.
Berat
Edhe në Berat po vijon super-aksioni ku prej orës 17:00 janë kontrolluar disa lojëra fati ku deri tani janë bllokuar 10 pika të lojërave të fatit.
Kukës
Janë kontrolluar 9 pika bastesh ku janë bllokuar 4 prej tyre, ndërsa janë sekuestruar 29 makineri lojërash fati.
Shkodër
Forcat e Drejtorisë së Policisë Qarkut Shkodër, në bashkëveprim me forcat e Komisariatit të Policisë të Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër kanë filluar operacionin policor të koduar “FUND MARRËZISË”.Deri tani nga veprimet dhe kontrollet e ushtruara nga ana e policisë, janë bllokuar dhe sekuestruar dy biznese te Lojrave të Fatit në qytetin e Shkodrës, shtatë copë kompjutera, dy makineri të lojrave të fatit dhe dy televizorë.
/balkanweb/





