DURRËS, 14 tetor 2013 – Nordikët po e pëlqejnë Shqipërinë, saqë krujzi finlandez “Kristina Katarina” po bëhet i shtëpisë në Durrës. Më 14 tetor 2013, në orën 7:40 në kalatën nr. 4 të portit u bregëzua kroçera “Kristina Katarina” me 349 turistë në bordin e saj, njoftoi zëdhënësja e drejtorisë ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës sha Vilma Hoxha. Vizitorët janë kryesisht nga Finlanda, por nuk mungojnë edhe turistë nga SHBA, Japonia dhe Suedia. Kruizi ka vizituar disa herë portin e Durrësit. Për herë të fundit bregëzua më 12 shtator të këtij viti me 289 turistë në bord. Është nisur nga Preveza (Greqi) me datë 12 tetor dhe mbërriti në qytetin bregdetar mëngjesin e së hënës, ku do të qëndrojë 12 orë. Në mbrëmje anija turistike do të niset për në portin e Koperit (Slloveni), për të vijuar me itinerarin: Venecia e Ravena (Itali), e për ta mbyllur udhëtimin në Split (Kroaci). Turistët e huaj, të ndarë në grupe dhe me disa autobusë u nisën për vizita drejt qyteteve të Tiranës, Krujës dhe Beratit, ndërsa dy grupe të tjera në drejtimin e guidave të specializuara po njihen me monumentet dhe muzetë e qytetit antik të Durrësit (në foto). Agjencia pritëse e anijes turistike është Intermed Shipping.

Info

Kristina Katarina (ish-The Iris në vitet 2000-2010, Francesca në vitet 1996-2000, Konstantin Simonov në vitet 1982-1996) është anije turistike me 6 kuverta në pronësi të kompanisë finlandeze Kristina Cruises. U ndërtua me porosi nga ish-Bashkimi Sovjetik si traget për automjete dhe udhëtarë në kantierin Stocnia Szczecinska im Adolfa Warskiego në Shçecin të ish-Republikën Popullore të Polonisë, dhe u hodh në det më 17 prill 1981. Iu dorëzua ndërmarrjes shtetërore detare të Detit të Zi në Odesa në vitin 1982. Në vitin 1987-1988 anija u modernizua në kantierin detar gjermano-perëndimor Lloyd Werft. Më 24 shkurt 2010 u regjistrua në portin finlandez Kotka me emrin Kristina Katarina. Modernizimi i anijes u krye nga koncerni Almaco në Kotka dhe Naantali, gjatë të cilit rinovimit iu nënshtruan të 193 kabinat, shkallët, mjediset publike, salla e konferencave, restoranti dhe shumë të tjera. Gjatësia 137.61 m, gjerësia 21.01 m, zhytja 5.6 m, shpejtësia 20 nyja, ekuipazhi 189 vetë (planifikuar), 90-100 (në vitin 2012), kapaciteti 380 udhëtarë, 380 shtretër, 193 kabina udhëtarësh, 14 makina.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/