Flet regjisori i “Portokalli”: Ja si do të vijë Edi Rama me ministrat e tij në imitimet e këtij show.

13 tetor 2013- Teatri ku luhet jeta e të gjithëve dhe ku bëhet humor pa censurë, “Portokalli”, nesër jep shfaqjen e parë të 10-vjetorit të tij në “Top Channel”. Pas një dekade që nga ngritja e kësaj skene gjigante, për regjisorin Altin Basha vjen momenti të marrë frymë dhe të rrëfejë rrugëtimin e tij profesional. Të rejat e këtij sezoni, si do të ndikojë rotacioni politik në shfaqjet e reja dhe humori që do të bëhet me Kryeministrin dhe ministrat e rinj…                    

“Portokalli” këtë vit celebron 10-vjetorin e historisë së tij. Çfarë keni rezervuar për show-n e parë nesër në mbrëmje?

Ky vit është shumë i rëndësishëm për ne jo vetëm për këtë fakt, por sepse “Portokalli” mbetet po aq i dashur për publikun sa edhe 10 vjet më parë. Patjetër që në këtë vit jubilar do të ketë shumë ndryshime, risi dhe surpriza. Si për fillim po ju them se sivjet “Top Channel” ka ndërtuar një teatër krejtësisht të dedikuar për “Portokalli”. Është një përgjegjësi shumë e madhe para publikut që ky sezon të jetë më i miri i mundshëm.

Kemi të reja në elementet e spektaklit? Po në mënyrën se si do moderohet nga Salsano dhe Eneda? 

Skenografia është krejtësisht e re, shumë personazhe gjithashtu. Për sa i përket moderimit, do të ketë ndryshime që besoj do ta bëjnë më të freskët dhe të veçantë.

Gjatë audicionit keni përzgjedhur aktorë të rinj, çfarë karakteresh i shtohen spektaklit këtë sezon? Po largime nga trupa ka këtë vit? 

Kemi disa rezultate nga audicionet, të cilat shpresoj të lënë te publiku të njëjtën shije pozitive që kanë lënë te ne si staf. Të bëhesh pjesë e “Portokalli” është një sfidë e fortë, pasi publiku pret që çdo aktor i ri të jetë në nivelin e atyre me përvojë. Siç ka ardhje, ka dhe ikje.

Në spotin e këtij përvjetori aktorët kanë mundur të shohin veten shumë të rinj,  kur kanë filluar punë. Me syrin e regjisorit ç’mund të thuash për ta tashmë: aktor lind apo bëhesh?

Të dyja bashkë. “Portokalli” është një terren shumë i favorshëm për çdo natyrë aktori. Mjafton vullneti dhe pasioni për t’i bërë gjërat mirë. 

Para një dekade ishit të vetmit në tregun televiziv me një show gjigant humori. Tashmë që disa aktorë të trupës suaj janë pozicionuar në ekrane të tjera, ju kanë bërë t’i shihni si rivalë?

Rivalë të “Portokallisë”? Ju lutem…!

Humori politik zë një vend jo të vogël në “Portokalli”. Si do na e servirni me doza humori këtë ndërrim të pushteteve?

Kjo pyetje na është bërë shumë shpesh kohët e fundit. Humorin do ta servirim njësoj si më parë. Përse duhet ta ndryshojmë? Në humorin politik pa dyshim që theksi mbetet te qeverisja dhe natyrshëm me të do merremi më shumë. Për ne është fat që pati rotacion, sepse në këtë mënyrë nuk përsërisim të njëjtat personazhe.

Cilët do të jenë politikanët që do të imitohen gjatë këtij sezoni?

Po punojmë. Për fat, kjo qeveri, edhe pse ne fillime, po na jep shumë material të gatshëm. Që tani kemi arritur të mishërojmë në role disa nga ministrat e qeverisë dhe normalisht Kryeministrin. Nuk mbetet prapa dhe opozita, e cila ende nuk e ka marrë veten nga rrotacioni. 

Nëse do të ishe regjisor i kabinetit qeveritar, për çfarë do u mësoje të aktronin ministrat e rinj?

  Ministrave të rinj do u thosha së pari të rrinë më shumë në zyrë se do lënë pa punë zëdhënësit. Të mos dalin para medieve edhe për prizat e reja që vënë nëpër ministri. Është mirë të heqin dorë nga ky model i vjetruar. Për sa i përket aktrimit, janë ende rishtarë.

Këtë rrugëtim profesional e keni bërë me bashkëshorten tuaj kostumografe, Ilirjana. Është komode të jesh 24 orë me partneren?

Ne nuk jemi çifti i parë i artistëve që punojmë bashkë, por në punë gjithsecili bën detyrën e tij. Meqë nuk e kemi favorin ta shijojmë “Portokalli” si spektatorë, ne kemi privilegjin të qeshim shumë gjatë përgatitjes së saj. Është  argëtimi më i mirë që i bëjmë vetes. Ky ndoshta është një nga çelësat që na çon drejt suksesit.

Do të hiqje dorë nga “Portokalli” dhe në ç’rast?

Në sfondin e 10-vjetorit të “Portokalli” mendoj se kjo pyetje nuk ka kuptim.

“Disa politikanë përpiqen të qeshin me humorin e lodhur të liderit” 
Pavarësisht çfarë është thënë, “Portokalli” e mori emrin si një shkrirje e dy ngjyrave politike, blu dhe rozë. Është e vërtetë?

(Qesh) Këtë nuk e kisha dëgjuar. “Portokalli” e mori emrin duke pasur parasysh ngjyrën “Portokalli” të semaforit. Kjo gjë është e sqaruar edhe në vargjet e himnit të “Portokalli”: “Mbete nëpër udhëkryqe, Shqipëri o Shqipëri, as Evropë as Azi, semafor portokalli”.

Thuhet se politikanët janë aktorë të mirë, po një aktor mund të jetë politikan i zoti?

Ronald Regan është shembulli më i mirë për këtë. Më shumë se aktrim, politika është vokacion, që nis nga motive të forta përgjegjësie ndaj komunitetit për t’i ndryshuar gjërat nga brenda. Ky tipar thelbësor i politikanit të vërtetë, për fat të keq nuk gjendet shpesh në Shqipëri.

Cilët politikanë do përmendje për sensin e tyre të humorit?

Nuk njoh shumë politikanë aq nga afër sa të di sensin e tyre të humorit. Ajo që nuk pëlqej te disa politikanë, është përpjekja e turpshme për të qeshur me humorin e lodhur të liderit. Kjo vërtet që është e neveritshme.

I beson shprehjes “bota është portokall”, dhe në ç’raste ke frikë se diçka që bën mund të kthehet në bumerang?

Po, e përdor shumë shpesh këtë shprehje, madje. Kërkon pak durim, por unë jam mësuar të pres. Nuk kam dëshirë t’i bëj tjetrit atë që nuk do të doja të tjerët të ma bënin mua. Nëse i referoheni profesionit nuk kam asnjë frikë, pasi po bëhen shumë vjet që jap shumë dhe kam ndryshuar jetën e shumë njerëzve duke i bërë profesionistë të vërtetë. Jam i lumtur dhe krenar që shumë artistë të rinj shtytjen e parë dhe më të rëndësishme në karrierën profesionale e kanë pasur me shfaqjet dhe produksionet që unë kam drejtuar. Vetëm në “Portokalli” janë me dhjetëra artistë të rinj që kanë përfituar atë që asnjë institucion kulturor mund t’u ofronte.

Disa aktorë në intervistat e tyre thonë që në “Portokalli” më shumë humor bëhet pas kuintave. Do e pranoje këtë fakt?

E pranoj që pas kuintave ka vërtet shumë humor, por ai është mes nesh dhe nuk mendoj se do kishte të njëjtin sukses me publikun e gjerë. Janë dy gjëra që nuk duhen ngatërruar. Ky lloj argëtimi është i natyrës kalimtare nga i cili nuk mbetet asgjë në kujtesë. Ndryshe ne e quajmë “humor tavolinash”. Aty thuhet dhe aty mbetet. Suksesi i vërtetë është kur batutat mbeten në kujtesë dhe i dëgjon kudo. Ku ka më bukur sesa kur spektatorët dhe telespektatorët marrin një copë “Portokallie” me vete për ta diskutuar të nesërmen mes tyre.

Batutat më të bukura që kanë ngelur nga ky show, cilat janë?

Do tregohesha i padrejtë, po të bëja dallime mes batutave. Janë aq shume, sa nuk di kë të zgjedh. Vetëm shfaqje janë rreth 270. Mendoni pastaj sa personazhe, skenarë, parodi, monologë, dialogë dhe në fund batuta.

/panorama plus/