TIRANË, 13 tetor 2013  –  Ministra e Mbrojtjes,  Mimi Kodheli si dhe ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, së bashku me Avokatin e Popullit Igli Totozani, kanë inspektuar sot punimet që po bëhen në repartin e Tufinës ku do të strehohet disa familje rome.
Gjatë fjalës së tij, Ministri i Mirëqënies Sociale, Erjon Veliaj tha se “në një kohë rekord kemi gjetur bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe kemi pasur një mobilizim total; edhe sot që është e diel, në këtë qëndër është duke u punuar për rregullimin e kushteve higjeno-sanitare .

“Në një kohë rekord kemi gjetur bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe kemi pasur një mobilizim total, edhe sot që është e diel, në këtë qendër është duke u punuar për rregullimin e kushteve higjeno-sanitare etj. Meqenëse banesat sociale nuk janë kompetencë e qeverisë qendrore, është e rëndësishme për ne që këtë vend e ka caktuar vetë komuniteti rom dhe këtu ky komunitet ka pranë shkollën, spitalin, autobusin”. 
Më tej, Veliaj theksoi se punimet që po realizohen në ish-repartin ushtarak nuk janë pa para; ato po bëhen me dhurime nga fondacioni “Besa”. 
“Për këtë i jam shumë mirënjohës Bajram Muça, po ashtu, i jam mirënjohës Avokatit të Popullit”. “Ne jemi në fazën e fundit të punimeve dhe tashmë po bëjmë edhe ndarjet sipas familjeve dhe kurorave për familje Këtë javë ne presim një vizitë nga Raportuesi i Komunitetit Europian dhe do donim që pikërisht këtë javë të fillonim transferimin e familjeve rome në këtë qendër. Ju e dini që sot në Tiranë ekzistojnë 450 banesa sociale, që ish-kryebashkiaku Rama i la, por duhet që ai dikushi që drejton sot Tiranën të kthehet në detyrë dhe të mbledhë Këshillin bashkiak për t’i shpërndarë”, tha Veliaj.

KODHELI

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, nga ana e saj vuri në dukje një fakt: Dua të rikthej në kujtesën tuaj 8 vjet të qeverisjes së vjetër, që s’i dha asnjëherë një zgjidhje komunitetit rom, ç’ka është një nga kriteret për të marrë statusin kandidat për në BE.

Kjo shtresë, gjatë qeverisjes 8-vjeçare, është margjinalizuar, por ne do të punojmë që ta ngremë atë në nivelin e gjithë qyterarëve të tjerë. E falenderoj kolegun tim Veliaj për këtë stërmundim për t’i dhënë zgjidhje të shpejtë problemit të këtyre familjeve.”

 TOTOZANI

Avokati i Popullit Igli Totozani, i cili gjatë gjithë këtyre viteve të fundit ka qënë “zëdhënësi” i vetëm i komunitetit rom, tha :

“Kam ardhur sot këtu me ekspertët e AP-së dhe dy ministrat për të parë gjendjen e këtyre kapanove,  se pas një periudhe 2-vjeçare përpjekjesh që kjo çështje të marrë zgjidhje,  e gjetëm një përgjigje dhe jam i lumtur me punën e bërë nga ministrat.Më së fundi, thirrjet tona për shprehjen e një vullneti nga Qeveria shqiptare,  u dëgjuan.
 Ne jemi monotorues të këtij procesi dhe e theksoj se ky është një fillim i mbarë, jo mbarim, që do të thotë se kjo zgjidhje është vetëm emergjencë, pasi jemi në fillim të një rruge të gjatë dhe unë besoj se do gjejmë mirëkuptimin për t’i shkuar deri në fund.Jo nesër, por që sot do flasim për strehimin e këtyre njerëzve, që këtu do qëndrojnë në mënyrë të përkohshme; do flasim edhe për ndihmën ekonomike,  punësimin, arsimimin, regjistrimin, transferimin, ç’ka do kërkojë përmirësim të ligjeve të Shqipërisë.Nuk duhet të harrojmë se romët janë ende janë të përjashtuar socialë; ata nuk plotësojnë dot as vërtettm pronësie, as kontratë qeraje, pra ne jemi në fillesat e një aksioni,"- theksoi Totozani.