TIRANE,13 tetor 2013 -Edukimi fizik pritet të rikthehet jo vetëm në sistemin parauniversitar, por edhe në universitete. Kjo gjë është deklaruar nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, e cila ka thënë se do të ketë një rikthim të sportit shkollor, por edhe përmirësim të ligjit për sportin. Nismë kjo që është përshëndetur nga Rektori i Universitetit të Sportit, Vejsel Rizvanolli, i cili e ka konsideruar një domosdoshmëri, sidomos për fëmijët të cilët sot po vuajnë çdo ditë e më shumë nga mbipesha për shkak të mungesës së aktivitetit fizik.
Sporti shkollor
Nëse dikur ora e fizkulturës shikohej si një orë si gjithë të tjerat, sot ajo shihet si një orë pushimi për të pirë kafe. Por ky fenomen do të marrë fund, pasi Ministria e Arsimit dhe Sportit do të riaktivizojë sportin në shkolla dhe brenda këtij muaji do të rikthejnë palestrat e uzurpuara nga palët e treta institucioneve arsimore. "Ne çliruam ambientet shkollore nga kjo problematikë që ekzistonte prej vitesh. Brenda 25 tetorit nuk do të ketë më as lokale dhe as palestra me qira në shkolla. Do të ndryshojmë programin mësimor, pasi në Maturë nuk ka fare orë fizkulture dhe në universitet gjithashtu. Ajo që ne synojmë është që t'i orientojmë të rinjtë drejt sportit. Kjo është mjaft e rëndësishme", – tha Nikolla. Sipas saj, do të krijohet Federata Shkollore, që do të ketë 1-2 persona përfaqësues për sportin. "Ne si ministri do ta kemi prioritet sportin. Dhe me këtë sy duhet të shihet edhe nga të rinjtë e nga media. Një shoqëri që nuk e ka në vëmendje aktivitetin fizik për ta kultivuar që herët, sigurisht që do të ketë mjaft probleme në vijim", – tha Nikolla.
Rizvanolli
Rektori i Universitetit të Sportit, Vejsel Rizvanolli e shikon një domosdoshmëri riaktivizimin e edukimit fizik në shkolla. Ndërsa për rikthimin e orëve të sportit në universitete, thekson se duhet të jenë si lëndë me zgjedhje, por duhet t'u plotësohen edhe kushtet studentëve që i përzgjedhin. "Nëse do pranojmë se sporti është cilësi jete, si dhe një shëndet më i mirë, si për moshat e treta dhe sidomos për parandalimin e obezitetit të fëmijëve – fenomen që po vjen në rritje në vendin tonë për shkak të mungesës së aktivitetit fizik – padyshim që çdo iniciativë për shtimin e aktiviteteve fizike brenda dhe jashtë shkollës do ishte e mirë të rritej. Dhe kjo, jo vetëm në aspektin shëndetësor, por edhe në aspektin edukativ, të zënies së kohës së lirë me aktivitet tepër të dobishëm. Ne po shikojmë mundësitë që të futet në kurrikula", – sqaroi rektori Rizvanolli. Sipas tij, duhet patjetër që të ngrihet Federata Universitare, që të harmonizojë aktivitetet në nivel kombëtar.
ISHP, 15% e të fëmijëve janë mbipeshë
Sipas një studimi të Institutit të Shëndetit Publik, rezulton se mbipesha dhe obeziteti, sidomos tek moshat e vogla, mbetet sfidë për shëndetin publik, si për efektet potenciale, ashtu dhe ato psikike. Të dhënat e studimit tregojnë se rreth 15.2% e fëmijëve janë mbipeshë dhe 3.8% e tyre, obezë. Specialistët e shëndetit publik pohojnë se obeziteti është më i dukshëm tek fëmijët e zonave urbane nga ato rurale. Kështu, për çdo fëmijë obez në fshat gjendjen 4 fëmijë obezë në qytet. Interesante janë krahasimet e obezitetit tek fëmijët në shkollat publike dhe ato jopublike. Sipas studimit, numri i fëmijëve mbipeshë në shkollat jopublike është 2 herë më i lartë se në shkollat publike. Por një problem tjetër është se po preken edhe moshat më të vogla, pasi ka fëmijë obezë që në moshën 9-vjeçare. Sipas specialistëve shkaqet kryesore janë mënyra e të ushqyerit, jeta sedentare, mungesa e aktivitetit fizik.
/GazetaShqiptare/
Rikthehet fizkultura në universitete, Nikolla: Të rinjtë të merren me sport
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit
4 arkitektë hapin ekspozitën “Impresione Urbane” në Durrës
4 arkitektë hapin ekspozitën “Impresione Urbane” në Durrës (VIDEO)
Skandali në Vlorë, reagon KF Teuta: Dy futbollistët tanë u dhunuan barbarisht, stadiumi ishte si “ferr” (VIDEO)
Të dielën do të jetë nata më e gjatë e vitit





