TIRANË, 12 tetor 2013 –Ishte një ftesë e hapur zyrtare për dialog që Edi Rama në emër të mazhorancës u bëri partive opozitare sot lidhur me shumë të diskutuarin, aktin normativ për statusin e Nëpunësit Civil. Rama kërkoi takim që të diskutohen pjesë të ligjit që sipas mazhrancës e bëjnë ligjin të pazbatueshëm për momentin. Letrës së hapur të Ramës i është përgjigjur në emër të opozitës, Lulzim Basha, kreui Partisë Demokratike.
Sipas Bashës, opozita është gati të dialogojë në cdo kohë por në fillim, duhet të tërhiqet akti normativ nga Kuvendi dhe të futet ligji në zbatim.
Rama
Kryeministri Edi Rama i dërgoi sot një letër opozitës duke i shprehur vullnetin e mazhorancës për të diskutuar me partitë e djathta lidhur me mosmarrëveshjet për ligjin e statusit të Nëpunësit Civil.
“Shumica parlamentare dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë kanë vetëm një synim: ta bëjnë të zbatueshëm ligjin në fjalë që jo vetëm sipas nesh, por edhe sipas asistencës teknike evropiane, është i pazbatueshëm në mungesë të akteve nënligjore të domosdoshme. Ne kemi zgjedhur rrugën e aktit normativ, si atë më të përshtatshmen. Nga e zgjidh më mirë problemin e krijuar nga mungesa e akteve nënligjore ana Juaj, s’kemi arritur të dëgjojmë ende asnjë alternativë tjetër që, por jemi të hapur t’Ju dëgjojmë deri në fund për një zgjidhje përtej konsensusit kushtetues.”- shkruan Rama në letrën e tij.
Më tej, duke e lënë në zgjedhjen e tyre, Kryeministri propozon ditën e hënë, të martë ose të mërkurën për takimin.
Basha
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nuk ka vonuar përgjigjen ndaj letrës së hapur të kryetarit të mazhorancës, Edi Rama. Në emër të opozitës, Basha i bën të ditur Ramës se nuk do të japë konsensus nëse nuk tërhiqet nga Kuvendi akti normativ për statusin e Nëpunësit Civil. Basha tha se gjatë këtyre orëve ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me krerët e partive opozitare.
“Opozita, PD dhe unë si Kryetar jemi dhe kemi qenë të hapur për dialog, bashkëpunim, dhe gjithëpërfshirje. Në këtë kuptim nuk ngurojmë të përgjigjemi pozitivisht për çdo takim. Ky është standardi i Lulzim Bashës, opozitës dhe PD-së. Në rastin në fjalë është e rëndësishme të kuptohet se çfarë kërkohet, kërkohet konsensus për të prishu konsensusin e arritur më herët, e papranueshme. Ka ndodhur një akt i rëndë dhe i paprecedentë, është arritur konsensusi, dhe katër orë para se të hynte në fuqi ligji, është anuluar në mënyrën më arbitrare. Përgjigja e vetme e e opozitës së unifikuar është : tërhiq aktin normativ dhe opozita është, ka qenë dhe do të jetë e gatshme të dialogojë për interesat e vendit.”- tha Basha.
Deklarata e kreut të opozitës, njëkohësisht kryetar i Bashkisë së Tiranës, u bë pas inspektimit të punimeve në kopshtin nr. 21 në zonën e Kombinatit





