DURRËS, 12 tetor 2013 – Edicioni VIII i festivalit ndërkombëtar të muzikës së dhomës kulmoi të premten e kaluar, më 10 tetor, me koncertin e kuartetin italian të klarinetave (Giovanni Lanzini, Carlo Franceschi, Maurizio Morganti dhe Augusto Lanzini), në mjediset e galerive të amfiteatrit të lashtë. Një e pranishme VIP në veprimtarinë me tinguj aristokratikë ishte dhe zonja Odeta Nishani (Kosova), bashkëshortja e presidentit të Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani. Me sa duket, durrsakes i kanë lënë përshtypje të madhe instrumentistët e përtej-Adriatikut, përderisa shkruan në Facebook: “Natën e mbrëmshme isha e pranishme në koncertin e Kuartetit Italian të Klarinetave “Udhëtim në muzikën italiane”, në Amfiteatrin Antik Romak të qytetit të Durrësit, zhvilluar në kuadër të Festivalit të 8-të të Muzikës së Dhomës. Një falënderim i veçantë shkon për muzikantët që na dhuruan këtë mbrëmje kaq bukur, por veçanërisht për zonjën Nevila Kalaja si dhe organizatorët e këtij eventi për pasionin dhe përpjekjet e tyre në përçimin e vlerave historiko-arkeologjike të qytetit të Durrësit”.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/