DURRËS, 11 tetor 2013 – Të vritesh mes kushërinjësh për bohçe pishash, një nga absurdet e përditshmërisë shqiptare ka ndodhur në skajin verior të qytetit bregdetar. Një grua rreth moshës 50 vjeç, dhe dy djemtë e saj janë qëlluar me armë zjarri, pas një konflikti të çastit. Ngjarja e rëndë, ka ndodhur orët e pasdites së 11 tetorit 2013  në Gjirin e Lalzit, ku dy familje me mbiemër Bushi janë konfiliktuar me njera-tjetrën për bohçet e pishave. Konflikti midis familjeve ka vazhduar deri në përplasje me armë, dhe si pasojë ka humbur jetën gjatë transportimit për në spital 19-vjeçari Albert Bushi dhe kanë mbetur të plagosur vëllai i tij Lorenc Bushi dhe nëna e tyre 50-vjeçare. Blutë e Durrësit kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes ku ka identifikuar tre autorët e plagosjes dhe ka arrestuar dy vëllezërit Edmond dhe Xhevahir  Bushi dhe ka shpallur në kërkim vëllanë e tretë, Bledar Bushi. Forcat RENEA kanë rrethuar pyllin, ku mendohet të jetë fshehur autori i tretë i gjakderdhjes. Të dy familjet po mblidhnin bohçe pishe në Gjirin e Lalzit, ku dyshohet se janë konfliktuar për ndarjen e zonës. Shumë familje në zonën e Ishmit mbledhin boçet e pishave në këtë periudhë, për ti shitur ato si bimë medicinale në treg.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”