DURRËS, 11 tetor 2013 – Ndonëse vetëm PS-ja ka ekspertë të njohur të transportit me shina, drejtoria e përgjithshme ekzekutive e kompanisë publike HSH sha do të ecë në “trasenë” e LSI-së. Një nga personalitetet e transportit shqiptar në përgjithësi dhe atij detar në veçanti, sikurse është Zamir Ramadani i PD-së, u zëvendësua nga Genc Alizoti, ish-prefekti i LSI-së, deri në prill 2013, në qeverinë Berisha. Megjithatë, për shkak se transporti hekurudhor është në kolaps të plotë, punën e drejtorit ekzekutiv të Hekurudhave Shqiptare sha mund të bëjë kushdo, qoftë dhe me të mesme, mjafton që të dijë të hedhë nënshkrimin në listë-pagesë. Edhe PD-ja çoi në stafin drejtues ekzekutiv të inxhinier Ramadanit njerëz që nuk kanë haber nga veçoritë e hekurudhave, por që “merrnin vesh” nga borderoja dhe punët e partisë. Megjithëse me rroga qesharake, shinat, ashtu si dhe porti, janë “depo” punësimi militantësh, që kanë punuar si për PD-në ashtu dhe për LSI-në. Ndërkohë, do t’i sugjeronim miqësisht Alizotit që, nëse dëshiron të bëjë “pallë” plotësisht, duhet të rimarrë disa ekspertë të majtë, që janë mënjanuar apo pushuar me urdhër nga selia e ish-aleatëve të tij “blu”.  

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/