11 tetor 2013- Komisari i policisë Bledar Naçi ka rrëfyer për mediat momentet e shpëtimit të vajzës së mitur nga rrëmbyesi i saj. Naçi, oficeri i Drejtorisë së Policisë së Fierit, ka treguar se, vajzën e mitur e kishte gjetur të shokuar dhe të frikësuar.

“Dje rreth orës 17:00 kemi qenë në zonën ku u raportua ngjarja duke patrulluar. Kemi marrë operacion nga salla se një zonjë kishte denoncuar humbjen e vajzës. Pasi mora informacion se agresori ndodhej në një pallatet ku ndodhesha kam shkuar në banesën ku autori mbante vajzën dhe kam bërë të mundur lirimin e vajzës. Jam përleshur me grabitësin dhe kam arritur ta ndaloj derisa ka ardhur patrulla dhe kolegët. Vajzën e gjeta të shokuar dhe të frikësuar nga personi që e mbante për dore. Ishin të dy, në hyrje të një pallati dhe rrëmbyesi ishte bashkë me vajzën, duke e mbajtur për dore”, tregon oficeri, Bledar Naçi.Ndërkohë Bledar Naçi është komplimentuar jo vetëm nga të afërmit e vajzës dhe banorët por edhe nga ministri i brendshëm Saimir Tahiri, të cilin inspektori e cilësoi si një motivim në punën e tij. “Në raste të tilla duhet që të ndërhyhet me çfarë do lloj kostoje”, u shpreh oficeri Naçi.