TIRANE,9 tetor 2013 -Elhaida Dani, ylli shqiptar që çoroditi Italinë me talentin e saj, ka rrëfyer dje në një intervistë për "Vizioni i Pasdites", projektet e saj më të afërta në muzikë, mes të cilave përfshihet edhe pjesëmarrja në "Sanremo". E ftuar në Shqipëri, për të marrë pjesë në show-n e humorit "Apartamenti 2XL", Elhaida ka zbuluar se shumë shpejt do të sjellë risi edhe për publikun shqiptar. 20-vjeçarja nga Shkodra, në këtë udhëtim ishte e shoqëruar nga menaxheri i saj Françesko, i cili nuk ka ngurruar të thotë disa fjalë për Shqipërinë dhe shqiptarët. 
Elhaida, me çfarë po merresh aktualisht? 
Kam ardhur për dy ditë në Tiranë, pas ftesës së drejtuesve të "Apartamentit 2XL". Ndërkohë që në Itali e kaloj gjithë ditën në studio, duke punuar, duke dëgjuar propozimet e reja, duke regjistruar këngë, ato që unë i cilësoj të vlefshme. Jam duke punuar për albumin e ri, i cili do të prezantohet në fillim të 2014-ës. Albumi i parë është publikuar në korrik të këtij viti në Itali, në Shqipëri akoma s'ka dalë, shpresoj së shpejti… Është një minialbum, është një përmbledhje që personifikon fitoren time në "The Voice", sepse brenda ka edhe cover-a nga "The Voice". Me thënë të drejtën, albumi në Itali po shkon shumë-shumë mirë dhe për këtë jam shumë e lumtur. 
Kemi një informacion që do të jesh edhe pjesë e "Sanremos"? 
Jam duke punuar me thënë të drejtën, pasi dua të kem një material shumë të mirë, për ta përfaqësuar denjësisht veten time në "Sanremo". Në Shqipëri kam ardhur me një nga menaxherët e mi, me një nga njerëzit që merren me menaxhimin tim dhe kurimin tim, ai është Françesko. Ia kam besuar atij, karrierën time për momentin… 
Françesko, po ju si ndiheni kur vini në Shqipëri? 
Gjithmonë kur vijmë këtu në Shqipëri, jemi të kënaqur me takimet që realizojmë me publikun, si dhe nga mikpritja e ngrohtësia që na jepni. Jemi duke përgatitur edhe disa projekte, që kemi në plan t'i realizojmë në Shqipëri, por për momentin nuk mund të tregojmë dot asgjë.