DURRËS, 9 tetor 2013 – Shtresa elitare e qytetit bregdetar po ndjek nga afër veprimtaritë që jepen në kuadrin e festivalit të tetë ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës. Sikurse raporton eksperti i njohur durrsak i kulturës Gëzim Kabashi, mbrëmjen e 7 tetorit 2013 ka dhënë koncert ansambli i frymës “Durrësi”, i krijuar tre vjet më parë me instrumentistë-pedagogë në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli”. Saimir Kalaja në oboe, Arben Leka në klarinetë dhe Pirro Sota në fagot kishin përzgjedhur autorë të periudhave të ndryshme, duke sjellë në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu” një atmosferë të veçantë. “Divertimenti nr 2” i Adalberto Nudera (1746-1811) dhe “Katër Bagatellat” e Cristofer Ball (1936- ) ishin veprat që trioja nga Durrësi interpretoi në pjesën e parë, e cila u mbyll me këngën popullore “Pranvera ka nis me ardhë”, stilizuar nga Aleksandër Lalo, i pranishëm në sallë. Artistët luajtën me sukses veprën “Divertiment nr 2” nga W. A. Moxart (1756-1791) dhe më pas “Pesë pjesë kushtuar Fernand Oubradons”, kompozuar nga Jacques Ibert (1890-1916). Ansambli instrumental i frymës “Durrësi” ka rikthyer në qytetin bregdetar një traditë të harruar. Koncerti i natës së kaluar që u mbyll me Valzer nr 2 “Hyrja e gladiatorëve”, kompozim i Julius Arnošt Vilém Fučík (1892-1916) është dëshmi e punës intensive të instrumentistëve Kalaja, Leka dhe Sota, të cilët vijnë nga përvoja të ndryshme si komponentë dhe solistë në orkestra të njohura. Tre pedagogët e shkollës “Jan Kukuzeli” vitet e fundit kanë riaktivizuar edhe një ansambël më të gjerë me pjesmarrjen e nxënësve të degës së frymës. Të enjten në mbrëmje në mjediset e amfiteatrit do të jetë mysafir Kuarteti i klarinetave nga Italia.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





