DURRËS, 9 tetor 2013 – Përfundimisht, ashtu sikurse njoftoi dhe “Dyrrah”-u më 8 tetor, 58-vjeçari i lindur në Korçë, i martuar dhe me dy fëmijë, Selim Belortaja do të jetë drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Portual të Durrësit. Këtë publikon dhe zyra e shtypit e APD sha në faqen e kompanisë publike (shih faksimilen). Vendimi me Nr. 23 “Për emërimin e Drejtorit të Portit të Durrësit” është marrë në mbledhjen e bordit [duhet: këshilli – “Dyrrah”-u] drejtues të APD-së, që u zhvillua më 8 tetor 2013 në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës. Bordi [këshilli] kishte pranuar më parë dorëheqjen nga kjo detyrë të z. Eduard Ndreu, ish-drejtor i portit në periudhën 2005 – 2013. Duke lexuar CV-në e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të APD sha, kuptohet mirë që Belortaja meritonte një post më të rëndësishëm, për faktin që në kohën e PD-së së parë ka qenë ministër dhe deputet, në kohën e PD-së së dytë, si përfaqësues i LSI-së, ka qenë zëvendësministër i Jashtëm. Nga ana tjetër, është fat për këtë kompani publike. Nisur nga integriteti moral, shpresohet që drejtori i ri të mos bjerë pre e trysnive të grupeve të caktuara të biznesit të transportit detar, si dhe të bashkëpunojë me doganën, policinë kufitare, antikontrabandën në luftë kundër krimit ekonomik dhe trafiqeve, duke pasur në vëmendje porositë amerikane dhe të BE-së.
Info / CV e Selim Belortasë
Është diplomuar në degën e ekonomisë dhe është doktor i shkencave ekonomike, ekspert për tregtinë ndërkombëtare e politikat zhvillimore. Dhjetor 2009-prill 2013 zëvendësministër i Punëve të Jashtme. 2002-2009 drejtor ekzekutiv i ACIT (Qendra Shqiptare për Konkurrueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare), një institut kërkimor i krijuar me mbështetjen e USAID-it. këshilltar ekonomik i Kryeministrit të Shqipërisë në nëntor 1999-maj 2002; deputet në Kuvendin e Shqipërisë (1996-1997). Anëtar i qeverisë shqiptare për 4 vjet (1993-1997) me portofolat: Ministër i Industrisë dhe Tregtisë (1993-1994); sekretar shteti për marrëdhëniet ekonomike me Jashtë në MPJ (1994-1997). Drejtor i Agjencisë së Investimeve të huaja, më vonë, Qendrës Shqiptare për Nxitjen e Investimeve të huaja, njëkohësisht këshilltar për investimet e huaja i Presidentit të Republikës (1992-1993). Për 12 vjet lektor në Universitetin e Tiranës, në lëndët tregti e jashtme, ekonomi e tregtisë, marketing (teoria dhe administrimi) etj. Angazhime të tjera të mëparshme: anëtar i Këshillit Konsultativ të Biznesit, kryesuar nga Ministri i Ekonomisë; këshilltar për tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik i Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës; anëtar bordi i organizatës jo-qeveritare “Lëvizja Europiane” – dega shqiptare. Kualifikime dhe trajnime: në Universitetin e Passaut (RFGJ) 1990-1991; universitetin e Siegenit (RFGJ) 1993; Universitetin e Harvardit më 2002; kurs trajnimi mbi industrinë kreative – nga British Council, në Britaninë e Madhe, etj. Autor i disa kontributeve kërkimore, të prezantuara në aktivitete publike, si dhe i disa artikujve shkencorë të botuara. Për t’u përmendur: autor artikujsh për dy botimet e fondacionit Friedrich Ebert, “Mbi procesin e integrimit evropian të Shqipërisë” (2003-2004); autor kryesor në studimin e GTZ-së “Mbi barrierat jo-tarifore në rajonin e Ballkanit Perëndimor” (2008-2009); kontribues në raportin vjetor të OECD-së mbi indeksin e investimeve (botuar 2010); aktiv në debatin publik mediatik. Autor i më shumë së 300 artikujve në medien e shkruar dhe pjesëtar i shumë tryezave dhe forumeve të debatit në Shqipëri dhe jashtë vendit. Flet edhe në anglisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht.
Shënim: CV-ja është marrë nga http://www.apdurres.com.al/. Duke i uruar suksese në detyrën e re, i rekomandojmë drejtorit të ri të marrë sa më parë një qortues gabimesh drejtshkrimore në shqip dhe anglisht për CV-në e tij, njoftimet për shtyp dhe letërkëmbimin zyrtar, përfshirë njoftimet për Agjencinë e Prokurimit Publik.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





