DURRËS, 8 tetor 2013 – Dy të rinj nga fshatrat afër Shijakut kanë bërë kërdinë, duke vjedhur banesa dhe radiostacionin. Drejtoria e policisë e shtetit për qarkun e Durërsit njofton se shërbimet e komisariatit të policisë Shijak zbardhën, në vazhdim të një punë disamujore operative e hetimore, identitetin e dy shtetasve, të cilët, duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, kishin ndërmarrë në territorin rreth vendbanimeve të tyre një serial vjedhjesh në banesa apo ndërmarrje publike. Në orën 20.00 të 7 tetorit2013, u ndaluan për të paktën 14 vjedhje, nga të cilat një me dhunë, E. B.,18 vjeç, lindur e banues në fshatin Rreth Shijak dhe F. D., 19 vjeç, lindur e banues në fshatin Pjezgë Shijak. Ja për çfarë akuzohen.
Kanë vjedhur në Ballias, Xhafzotaj, në banesën e shtetasit R. Sh., vegla të ndryshme pune si matrapik, motosharrë, saldatriçe, trapan, fleksibël, 4 valixhe veglash pune profesionale; në banesën e shtetases Z. D. si pompa uji, etj. në banesën e shtetasit A. T. pajisje si pompa uji, etj.; sende personale e pune në Xhafzotaj në banesën e shtetasit Xh. B. si telefona celularë, disa materiale pune, etj.; në banesën e shtetasit Z. B. në fshatin Rreth Shijak televizor LCD, disa materiale të tjera; në Ballias Xhafzotaj në banesën e shtetasit P. Ç. televizor LCD, produkte ushqimore, pije alkoolike; më 18 prill 2013, me dhunë banesën e shtetasit R. T. në Ballias, gjatë së cilës ka mbetur i plagosur me thikë një person i punësuar si punëtor në banesë, shtetasi F. A.; ngjarje për të cilën ka filluar procedimi penal nga seksioni kundër vjedhjeve me dhunë e armë Durrës. Ndërkaq në radiostacionin e Rrethit më 20 prill kanë përvetësuar 5 kampata tel bakri me peshë të përafërt 68 kg; më 3 maj 110 kg pllaka bakri që shërbenin për furnizimin me energji elektrike të antenave; më 1 korrik 3 kampata tel bakri, rreth 42 kg; më 20 gusht 4 kampata tel bakri, afërsisht 50 kg;më 20 shtator 3 kampata tel bakri, rreth 66 kg. Pastaj u janë rikthyer vjedhjeve në banesa: më 5 korrik në atë të shtetasit E. K. në Xhafzotaj shumën prej 30.000 lekë, 4 ora dore, një kartë bankare dhe disa bizhu floriri; më 1 tetor vijnë përsëri në këtë banesë dhe grabisin 100 000 lekë të rinj, 2 ora dore dhe disa bizhu floriri. Si prova materiale gjatë veprimeve procedurale u sekuestruan një pjesë e materialeve dhe sendeve të vjedhura si vegla pune, matrapik, trapan, sharra, televizor me ekran LCD, etj. Vijon puna për identifikim të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





