DURRËS, 8 tetor 2013 – Shpresë për rijetësimin e simbolit të qytetit bregdetar, sikurse njofton shqiptarja.com, më datat 8 dhe 9 tetor një grup ekspertësh të trashëgimisë kulturore nga ‘Europa Nostra’ dhe përfaqësues të Bankës së Këshillit të Evropës për Zhvillim, do të vizitojnë Amfiteatrin e Durrësit (zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i durrsak me emër botëror Vangjel Toçi), i cili bën pjesë në programin “7 Më të rrezikuarit” e trashëgimisë kulturore evropiane. Përveç takimeve me ministren e Kulturës, kryetarin e bashkisë së Durrësit dhe drejtuesit e institucioneve përgjegjëse, në agjendë janë parashikuar diskutime me grupe ekspertësh për të parë gjendjen dhe mundësitë reale për investim në Amfiteatrin e Durrësit. Raporti i grupit të ekspertëve evropianë është mjaft i rëndësishëm për të ardhmen e këtij monumenti, ndërsa vendimi përfundimtar për të mbështetur financiarisht ndërhyrjet në Amfiteatrin e Durrësit do të merret në 5 dhjetor të këtij viti në Konferencën Evropiane për Politikën e Trashëgimisë, që do të mbahet në Bruksel. Më poshtë jepen arsyet pse “Europa Nostra” e ka përfshirë këtë monument në programin “7 Më të rrezikuarit” (shih http://www.europanostra.org/UPLOADS/FILS/7-Most-Endangered-Press-Release-12-06_AL.pdf).

Info

I datuar në fillim të shekullit të dytë, amfiteatri romak, mbeti i pazbuluar deri në vitet ’60. Ky monument; i pozicionuar në qendër të qytetit, që njihej në antikitet me emrin Epidamn ose Dyrrachium, me një kapacitet prej 15 000 deri në 20 000 spektatorë; është një nga vendet më të spikatura të trashëgimisë, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Për shkak të zbulimit të tij të vonë ky monument ka përjetuar një zhvillim urbanistik mjaft kaotik me pasoja në strukturën e tij dhe ka pësuar degradim të vazhdueshëm. Qëllimi kryesor është që të arrihet integrimi i plotë i tij në strukturën urbane të Durrësit. Ky gur i çmuar i trashëgimisë është gjithashtu i kërcënuar nga mungesa e burimeve financiare, shkaqeve natyrore dhe neglizhencës. Inkurajimi i projekteve kërkimore dhe rritja e ndërgjegjes publike për vlerat e jashtëzakonshme të këtij amfiteatri janë hapat që duhen ndërmarrë në mënyrë urgjente.

Restaurimi i tij i plotë jo vetëm që do të rivendosë qytetin antik të Durrësit në hartën e vendeve historike të Evropës, por gjithashtu do të rivitalizojë aspektin shoqëror dhe ekonomik të qytetit të dytë më të madh në Shqipëri.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/