TIRANË, 7 tetor 2013 –  Në ditët në vazhdim do të ketë paqëndrueshmëri dhe për shkak se rajoni i Ballkanit do të jetë nën ndikimin e qarkullimit ciklonar të masave ajrore. Departamenti i Klimës dhe Mjedisit i Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit të Universitetit publik Politeknik të Tiranës jep këtë parashikim të motit për periudhën 6-ditore, 8-13 tetor 2013.

Situata sinoptike (figura nr. 1)

Në figurën nr. 1 paraqitet situata sinoptike e parashikuar për datën 8 tetor në orën 00. Vërehet se Ballkani do të ndikohet nga qarkullimi ciklonar i masave ajrore.

8 tetor 2013 (figura nr. 2)

Gjatë kësaj dite mbi vendin tonë do të mbizotërojë mot i kthjellët me vranësira dhe shira të përkohshëm në veri dhe qendër të territorit. Era do të fryjë e lehtë, në bregdet deri 30 km/orë, nga juglindja. Temperaturat e skajshme pritet të luhaten: në vendet malore temperaturat minimale do të zbresin deri në 10, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 19 gradë celsius; në vendet e ulëta temperaturat minimale do të zbresin deri në 14, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 24 gradë celsius; në bregdet temperaturat minimale do të zbresin deri në 16, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 25 gradë celsius.

9 tetor 2013 (figura nr. 3)

Gjatë kësaj dite mbi vendin tonë do të mbizotërojë mot më i kthjellët me vranësira dhe shira të përkohshëm. Era do të fryjë e lehtë, në bregdet deri 20 km/orë, nga jugperëndimi. Temperaturat e skajshme pritet të luhaten: në vendet malore temperaturat minimale do të zbresin deri në 11, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 14 gradë celsius; në vendet e ulëta temperaturat minimale do të zbresin deri në 15, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 21 gradë celsius; në bregdet temperaturat minimale do të zbresin deri në 17, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 23 gradë celsius.

10-13 tetor 2013 (figura nr. 4)

Situata sinoptike e parashikuar për datën 11 tetor në mesditë tregon që rajoni i Ballkanit do të ndikohet nga qarkullimi ciklonar i masave ajrore. Rrjedhimisht, pritet që në përgjithësi gjatë kësaj periudhe të mbizotërojë mot me vranësira dhe shira të përkohshëm. Temperaturat maksimale do të luhaten: në vendet malore nga 16-19 gradë, ndërsa në zonën e ulët dhe në bregdet nga 22-25 gradë. Temperaturat minimale do të luhaten: në vendet malore nga 8-10, ndërsa në zonën e ulët dhe bregdet nga 14 deri në 16 gradë. Era do të fryjë e lehtë, në bregdet deri e fortë, në përgjithësi nga kuadranti i jugut.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/