Vdekja e 84-vjeçares Sofi Qendro më shumë se vdekje, është vrasje nga qëndrimi i pakujdesshëm në detyrë, në kushtin e rrethanës rënduese të grupazhit: Olldashi; Berisha; Dako; Veliaj; OJF-të; Jaguar-Bregu; mbesa Dasara e ish-kryeministrit; deputetët e Durrësit Klodi, Cara, Klosi, Halimi, Beqja, Vokshi
Shkruan për “Dyrrah”-un Gjergj Thanasi
DURRËS, 7 tetorit 2013 – Migjeni, poeti dhe shkrimtari i specializuar për përshkrimin dhe denoncimin e mjerimit në Shqipërinë e viteve 30-të të shekullit të kaluar, ka një nga krijimet e tija më të ndjera e të arrira prozën: Bukuria që vret. Fatkeqësisht, 7-8 dekada më vonë, kjo prozë mbetet aktuale, me kusht që titulli t’i shndërrohet në: Pleqëria që vret.
Pak ditë më parë u përpoqa me anë të një artikulli, të sensibilizoja opinionin për fatin e zi të dy pleqve të mjerë, nip e teze, Llazit dhe së ndjerës Sofi Qendro. Pasi u nxorën nga shtëpia me policë si pjesë e operacionit “fshesa” Olldashi, pleqtë e shkretë prej javësh banonin në stolat e lulishtes përballë bashkisë së Durrësit. Unë dhe disa kolegë të mi në medien e shkruar dhe atë elektronike u ramë kambanave të alarmit për këta të mjerë, që rrezikonin të vdisnin si qen rrugësh në stolin e lulishtes përballë bashkisë. Kambanat tona të alarmit patën zero efekt në veshët e pushtetarëve e politikanëve lokalë dhe qendrorë. Duke gdhirë dita e diel, 86-vjeçarja Sofi Qendro ndërroi jetë në spitalin e Durrësit. Mjekët durrsakë, përjashtimisht kësaj radhe, u treguan humanë dhe bënë të pamundurën për t’i shpëtuar jetën Sofisë së mjerë. Kjo vdekje e paralajmëruar nuk është thjesht vdekja e një të moshuare, që i kishte ardhur koha për të ikur në atë botë. Kjo vdekje më shumë se vdekje, është vrasje nga qëndrimi i pakujdesshëm në detyrë, në kushtin e rrethanës rënduese të grupazhit.
Vetëm Zhaneta Saliu, një biznesmene e nderuar e zemërbardhë, pjesë e komunitetit çam të Durrësit, u përpoq maksimalisht për t’i strehuar dy pleqtë e ngratë. Por ata shpresën e kishin te shteti, që do vinte dorë dhe nuk do t’i linte të vdisnin në stol. Shteti fatkeqësisht kishte ikur në drejtim të paditur dhe nuk ia kishte ngenë të merrej me Sofinë e ndjerë dhe Llazin, nipin e saj 65-vjeçar.
Cilët janë fajtorët?
Pa dyshim, operacioni “fshesa” i ish-ministrit Olldashi dhe VKM-ja me firmën e ish -kryeministrit Berisha janë shkaktarët e parë të vrasjes së të moshuarës. Në emër të korrigjimit të një padrejtësie dhe krimi të vjetër të komunizmit, u nxorën me policë nga shtëpia këta të mjerë. Pra, gjoja për të dëmshpërblyer një viktimë të një krimi të vjetër, u krye një krim i ri. FshesaOlldashi njëkohësisht në jo pak raste në thelb ishte ri-plaçkitje e pronave të pronarëve legjitimë duke i parablerë këto prona ronxhobonxhot e pushtetarëve me vlerë 10 herë më të ulët se mesatarja e tregut.
Kryebashkiaku Dako, i cili në mandatin e dytë ende ka një reputacion mjaft pozitiv ndër durrsakët, ka pjesën e tij të përgjegjësisë në këtë fatkeqësi. Dako ende ka mbetur Gjushi, njeriu i mirë i Durrësit, ndryshe nga jo pak pushtetarë lokalë majtas e djathtas, që demonstrojnë hajdutëri në maksimum deri te tollonat e naftës për makinat e bashkisë, deri te dietat false e deri te vijëzimi blu i rrugëve të kohës së Enverit për të plaçkitur bashkëqytetarët e tyre me bileta parkingu. Gjithsesi, është e pafalshme, që kryebashkiaku i qytetit tim ndonëse i penguar nga lojërat politike në këshillin bashkiak (odiseja e ndarjes së banesave për të pastrehët), nuk i pagoi qoftë dhe nga xhepi qiranë vjetore për një garsonierë për çiftin e pleqve të mjerë. Janë jo pak raste që kryebashkiaku Dako nga xhepi i vet i ka ndihmuar njerëzit në nevojë me miliona lekë, për të bërë dasmën, për të mjekuar fëmijën, për të blerë librat e çantën e shkollës apo për të siguruar çapën e bukës për familjen. Kësaj radhe kryebashkiaku neglizhoi. E mirëkuptoj rolin jo thjesht lokal të Dakos. Ndjehem krenar për iniciativat e tij rajonale nga kryebashkiaku i Monopolit (Itali), te sheshi “Durrësi” ne Selanik, nga pritja e delegacioneve të Preshevës deri te vizitat e punës në Rumani. Gjithsesi, Vangjushi, një nga 100 njerëzit më të pasur në Shqipëri, fare mirë pa e zgjatur me burokraci shtetërore, mund ta kishte shpëtuar jetën e Sofisë së mjerë duke i paguar personalisht shpenzimet për qira.
Ministri Veliaj, që u informua nga mediet me vdekjen e paralajmëruar në stolat e lulishtes përballë bashkisë së Durrësit, pati tërë kohën e nevojshme për ta shmangur tragjedinë, njëlloj si i mjekoi në spital këmbën e thyer romit të vogël. Unë e mirëkuptoj me gjithë zemër gjestin e shkëlqyer nga këndvështrimi i marrëdhënieve me publikun të caktimit të zonjës së nderuar Bardhylka Kospiri zëvendësministre të zotit Veliaj, gjithsesi, zoti Erjon, në vdekjen e Sofisë së mjerë, edhe ju jeni përgjegjës. Ju kujtoj se Llazi, nipi 65-vjeçar i së ndjerës, që ende banon në stolin e lulishtes, gjatë komunizmit ka vuajtur mjaft pikërisht për ato të drejta që sot i gëzoni aforfe ju z. Ministër dhe miqtë e shokë tuaj të quajtur me dashamirësi nga militantët socialistë “plazhistë”.
Vdekja e së mjerës Sofi është akuzë edhe për OJF-ërsat, që tregojnë përralla për reduktim të varfërisë në gjuhën shqipe e anglishte hoteleve luksoze të Tiranës. Besoj se Jaguar-ministrja Bregu, që na u fye nga Edi Rama, i cili na e nakatosi atdheun tonë Shqipërinë me vendet e varfra afrikane, e konsideron vdekjen e Sofisë së moshuar një vdekje tipike për standardin evropian! U kujtoj lexuesve se sot në Durrës blerja e një garsoniere në zonën e Shkozetit kushton pak më shumë se gjysma e vlerës së çantës së dorës të kësaj ish-ministreje.
Vdekja e së ndjerës është aktakuzë edhe për deputetët durrsakë e të tërë krahëve. Fjala vjen kostoja e qirasë vjetore për çiftin e pleqve të pastrehë është më e vogël se gjoba standarde e ish-ministrit Halimi për një licencë të vetme noteri në Durrës. Deputetja Klodi, mjeke me shumë reputacion në Durrës, e cila në jo pak raste është dalluar për bamirësi kësaj radhe nuk e pa mjerimin mu në zemër të Durrësit. Deputeti Cara, i cili nga natyra është human dhe gëzon një emër të mirë në segmente të caktuara të popullsisë së Durrësit, ndonëse në opozitë, gjithsesi mund të bënte diçka për t’i shpëtuar jetën së ndjerës. Nuk besoj se deputeti Klosi do ta kishte problem t’ia paguante nga xhepi qiranë për një garsonierë për dy pleqtë e shkretë. Fundi i fundit kjo qira vjetore shkon më pak se shpenzimet e një nate te tryeza e”Black jak-ut”. Ministri i shëndetësisë Beqja, dhëndër Durrësi, pinjoll i një familje të shquar intelektuale i brumosur, që fëmijë me ndjenja të forta humanizmi mund të bënte shumëçka për të shpëtuar jetë njeriu, qoftë si ministër, qoftë si deputet, qoftë edhe si njeri. Deputetja Vokshi para se të bëjë avokaten e vendeve të punës të grave demokrate, si deputete e parashutuar në Durrës do bënte mirë të mos ta linte të vdiste si qen rrugësh të ndjerën Sofi. E fundit por jo më e pakta mbesa Dasara, që bën bodigardin e gjyshit në Face book duhet të marrë shembullin e gjyshit, që e shpalli qeverinë e vet: Qeveri në dietë. Mbesa qenin e familjes po ta fusë në dietë ushqimore, me paratë e kursyera në një vit mund t’i paguante qiranë vjetore për një garsonierë për këta të mjerë. Oh dhe unë harrova fare ata ishin thjesht njerëz dhe nuk e meritonin shpenzimet, që bën mbesa e gjyshit për qenin.
P.S. Sofia e ndjerë ndërroi jetë. Nipi i saj i pastrehë i ka kaluar 65 vjetët. Llazi vazhdon të banojë në stolat e lulishtes përballë bashkisë së Durrësit. Kësaj radhe politika do ta strehojë Llazin apo do vërë bast nëse Llazi do vdesë te stolat para apo pas Vitit të ri?
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





