TIRANE, 7 tetor 2013– E shumëpërfolur për makinën apo çantën e saj të shtrenjtë, ka ardhur edhe një reagim për të hedhur poshtë të gjithë zërat që qarkullojnë për ish-ministren e Integrimit, Majlinda Bregu.
Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ajo shkruan se lajmet që bëhen për makinën apo çantën e saj, janë vetëm për një motiv të vetëm, e cila lidhet me tërheqjen e vëmëndjes nga mënyra se si i mban premtimet qeveria.
“Për të manipuluar opinionin me sajime, në mënyrë që sa herë të dëgjoni për pasuritë e padeklaruara të Ramës apo Koços, për emërimet pa kriter, për rregullimin e ambienteve të Kryeministrisë pa procedurë, me fonde që s’dihet nga vijnë e kush e pse u bëkan dhuratë, etj, t’ju bëjnë të mendoni se fajin e kanë ata që sot janë në opozitë, e se të gjithë janë njëlloj. Gjithkush, edhe ata që s’janë dashamirës me mua, e dinë përgjigjen.
Por po ju ftoj të gjithëve ju që nuk dini se ç’çantë kam në dore, por i besoni gazetës se bën 20 mijë euro, nuk dini se e kujt viti është makina që kam blerë, sa km ka bërë, çfarë opsionesh ka, elementë të cilat çmimin e largojnë më shumë se 10 herë nga vlera që të përditshmet e pavarura ju servirin për t’ju lënduar, të kërkoni informacion për të vërtetuar sa, ku, si është e vërteta.
Unë e bëj këtë çdo vit zyrtarisht, në përgjigje të ligjit e jo të pallavrave që duan të shesin gazetat. Mund t’ia kërkoni në heshtje ta bëjë këtë për ju deputeti juaj e t’ju ndihmojë me marrjen e këtij informacioni në rrugë zyrtare, ose dhe ndonjë mik gazetar, por jo nga ai soj që xhelozinë personale e shfryjnë në kurrizin tuaj.
Parimi “shaj e sajo, se diçka do të ngelet” ka zënë vend në këtë shoqëri tonën, shumë e shumë herë më tepër se “sqaro se diçka do të ngelet”.
Por përsëri, sado të jemi shtrembëruar, nuk besoj se kjo shoqëri është aq primitive sa inatet e lajmet e porositura me qëllim, të errësojnë gjykimin e çdokujt e të fyejnë inteligjencën e qytetarëve për secilin nga ne,” shkruan Bregu.





