TIRANE,7 tetor 2013 – Aleati i Partisë Demokratike, kreu demokristian Nard Ndoka bën të qartë se për asnjë arsye nuk do të ikë nga koalicioni i djathtë për t'iu bashkuar mazhorancës së re.
Z.Ndoka thotë në një intervistë për "Gazeta Shqiptare" se e kundërta është spekulim, teksa kritikon qeverinë e re për fillimin e keq, duke hapur konflikt me opozitën e re.
Ai bën të ditur gjithashtu se do mbështesë procesin e riorganzimit të së djathtës.
Ndërsa shton se primare për PDK-në është bashkimi i demokristianëve në një parti të vetme, ku të përfshihet edhe partia e Mark Frrokut, aktualisht aleat i Partisë Socialiste.
Z.Ndoka, ka zëra se ju do të kaloni majtas. Ka ndonjë hap konkret të PDK-së drejt mazhorancës së re?
Ky është një abuzim mediatik, pasi PDK-ja është pjesë e koalicionit opozitar. Në asnjë rast nuk do të shkojmë majtas. Ne jemi pjesë e koalicionit të djathtë.
Atëherë, pse jeni shprehur se "do të doja të jepja kontributin tim për të majtën"?
Unë jam shprehur se mazhoranca e re e ka nisur keq qeverisjen e saj duke u konfliktuar me opozitën e djathtë. Do të dëshiroja një qeverisje të mirë dhe bashkëpunuese, dhe nëse do të ishte e tillë, unë do të jepja kontributin tim për të mbështetur mazhorancën qeverisëse.
A e mbështesni idenë e z.Dashamir Shehi për shkrirjen e partive të djathta me PD-në?
Ne si PDK kemi si synim bashkimin e alternativës kristiane. E mbështesim procesin e riorganizimit të së djathtës dhe do të japim kontributin tonë, por primare për ne është bashkimi i demokristianëve në mbarë vendin, në një parti të vetme.
Nëse bashkoheni me partinë e Mark Frrokut, mandati juaj i deputetit, shkon majtas apo djathtas?
Është ideja për krijimin e një unioni që të mbajmë profilin politik. Ajo parti të mbajë qëndrimet e saja, por qëndrimet e përbashkëta të jenë të unifikuara nën një sigël. Nuk mendoj se mazhoranca e majtë me bashkimin e votave tona shkon në 85 vota. Jo, ky është një proces demokristian, madje i tillë sa mazhoranca të mos ketë nevojë për kompromise të tilla.
Ku e shikoni dallimin mes ish-opozitës së majtë dhe opozitës aktuale të djathtë?
Opozita e re përpiqet të jetë një alternativë ndryshe. Kjo, sepse kemi parë vetëm një opozitë bllokuese në parlament, që bllokoi edhe integrimin me disa ligje, kurse opozita sot është e prirur për konsensus. Jam ndjerë më mirë në opozitën e djathtë, ka pasur aksion politik, por më e organizuar, më e fortë, më e vendosur. Opozita e majtë, lidershipi shpërfillte aleatët. Dhe sot, po ta vini re, ka vetëm një aleat, LSI-në. Aleatët e tjerë u nxorën nga loja.





