TIRANE, 7 tetor 2013 – Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla zgjodhi Fakultetin Ekonomik në Tiranë për të uruar dhe inkurajuar studentët për më shumë përgjegjësi e vullnet, duke premtuar një epokë të re universitare.
Sipas ministres, vendi sot përballet me sfida të mëdha ekonomike dhe e ardhmja varet nga përpjekjet e sotme të gjeneratës së re.
“Zgjodha të jem këtu me ju të dashur profesorë e studente të Fakultetit Ekonomik për të ndarë një mesazh, mesazhin e qeverisë së re, ne presim shumë nga ju, vendi gjendet përballë sfidave të mëdha që mund të kapërcehet nëpërmjet një bashkëpunimi mes gjeneratash. Ju nesër do të merrni frenat e ekonomisë. Te ardhurat e shtetit kanë rënë si asnjëherë, korrupsioni është arsyeja kryesore, paaftësia qeverisëse po ashtu. Kundër të dyjave qeveria e re dhe Edi Rama duhet të luftojmë përkrah jush. Të rinjtë janë burimi kryesor i besimit.”- deklaroi ministrja.
Ministrja Nikolla shprehu vullnetin e saj dhe të qeverisë për të bërë gjithçka për rritjen e cilësisë së arsimit dhe për tu dhënë shanse e mundësi studentëve.
“Do të punojmë me mish e me shpirt për cilësinë e arsimit. Së bashku do të jemi për të bërë gjithçka për politikat e nevojshme për arsimin. Arsimimi është politika më e mirë ekonomike”- u shpreh ministrja Nikolla.
"Sot hapet një epokë e re universitare, e mos nënshtrimit të auditoreve. Nga sot, në çdo universitet, jashtë orëve të mësimit mund të ketë bashkëbisedime me politikanë të opozitës dhe qeverisë. Asnjë dekanat nuk do të vendoset nën presion. Asnjë student apo pedagog, nuk do të diskriminohet për bindjet e tij politike. Shkolla është e depolitizuar dhe kjo do të ruhet me shumë fanatizëm", ka thënë ministrja Nikolla.
Ministrja premtoi çlirimin e territorit të Fakultetit të Ekonomisë, nga godina 5 katëshe.
“Jam dhe do të jem gjithmonë krah jush edhe kur protestoni për kërcënimin e hapësirave tuaj. Shpresoj që dhe gjykata të na dëgjojë. Premtoj se do ta çlirojmë nga prania e padëshiruar e atij ndërtimi pa leje".





