TIRANE, 7 tetor 2013 – Dritan Dajti nuk ndalet, por vijon pafund me kërkesat dhe akuzat e tij përballë drejtësisë.
Në seancën e sotme, Dajti deklaroi se 4 policët e vrarë ishin të veshur civilë dhe nuk kishin shenja dalluese që mund të tregonin se ata ishin efektivë.
Vetëm kaq ka thënë sot përpara trupit gjykues i dyshuari kryesor për masakrën e Durrësit, dhe më pas është larguar nga salla e gjyqit, duke shtuar se do ta vijojë dëshminë në seancën e radhës.
Procesi gjyqësor ndaj Dritan Dajtit po zvarritet pafund, për shkak se drejtësia nuk ka gjetur ende një avokat që të marrë përsipër mbrojtjen e këtij të pandehuri. Të gjithë avokatët kryesisht, që gjykata cakton në këtë proces, refuzojnë të marrin përsipër mbrojtjen e interesave të të dyshuarit si autor i masakrës, duke nxjerrë justifikime nga më të ndryshmet.
Duket se seancat do të firmosen me shtyrje, pasi deri më tani rruga e ndjekur nga pesëshja gjykuese për të zgjidhur ngërçin e krijuar ka rezultuar e pasuksesshme.
Gjyqi ndaj Dajtit shtyhet prej dy vitesh dhe prokuroria nuk po mundet të paraqesë provat e fajësisë kundër të pandehurit. Dajti akuzohet se ekzekutoi më 7 gusht 2009, pranë pistës “Iliria” në Durrës, katër oficerë policie, të cilët tentuan t'i vinin prangat pas shtatë vitesh arrati.





