TIRANE, 7 tetor 2013 – Zbulohet dëshmitarja kryesore e Prokurorisë për akuzat e ngritura ndaj tetë ish-zyrtarëve të Ministrisë së Punës për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera. 

Dëshmitarja e Prokurorisë është shtetasja Migena Bako, ish-punonjëse e Ministrisë së Punës, e shkarkuar nga detyra, siç dyshohet, pikërisht për shkak se nuk ka pranuar të bëhej pjesë e procedurave abuzive. Thëniet e saj konsiderohen si një nga provat kryesore në dosjen ndaj tetë ish-zyrtarëve të Ministrisë së Punës. Sipas Prokurorisë, Bako ka qenë punonjëse e Ministrisë dhe detyra që kryente e ka ekspozuar në kryerjen e veprimeve lidhur me tenderat që po hetohen për abuzime. 

“Në disa momente të akuzuarit kanë përgatitur dokumentet sipas qëllimeve të tyre abuzive dhe kanë dashur të përdorin dy punonjës për firmosjen e letrave. Të dy punonjësit nuk kanë pranuar dhe më pas janë shkarkuar nga detyra. Njëri prej tyre është Migena Bako, e cila ka dhënë shpjegime për grupin e hetimit”, thanë burimet nga hetimi. Në dijeni të këtij fakti duket se është edhe i akuzuari kryesor i çështjes së abuzimeve në Ministrinë e Punës. Kleves Bitro, në deklaratën e bërë publike ditën e djeshme, fliste për Migena Bakon dhe kallëzimin që ajo ka bërë në Prokurori pasi është shkarkuar nga puna. 

Sulmohet dëshmitarja 

Ish-shefi i Kabinetit të Ministrisë së Punës, Kleves Bitro, ka sulmuar dje dëshmitaren kryesore të akuzës duke thënë se është vajza e një ish-zyrtari të Prokurorisë së Tiranës. “Për sa i takon kallëzimit që më është bërë nga shtetasja Migena Bako, ish-punonjëse e Ministrisë së Punës, pohoj se nuk kam pasur asnjë tagër ligjor që të emëroj apo të shkarkoj cilindo punonjës të Ministrisë së Punës”, thekson Bitro. Ai vë në dukje se akuzat “që kam qenë nxitësi kryesor që organizoi largimin nga puna të shtetases Migena Bako apo shtetasve të tjerë nuk i pranoj”. Ish-zyrtari vë në dukje se akuzat që i bëhen janë hamendësime. “Është njëlloj sikur unë të them se Migena Bako u përzgjodh për të punuar pranë Ministrisë së Punës për shkak se daja i vet ndërhyri te ministri Ksera, meqenëse është gjirokastrit dhe ky i fundit për t’i bërë nder e mori në punë znj. Bako. Pra, duke vazhduar logjikën e kundërt, të them se edhe konkursi i znj. Bako u bë fiktivisht, u falsifikua dhe ajo hyri në Ministri jo se fitoi vërtet, por se kështu duhej të ndodhte”, akuzon Kleves Bitro. Ai më pas duket sikur tërheq mbrapsht akuzat e bëra teksa thotë se “sado që unë mund të pretendoj se kështu mund të ketë ndodhur, nuk kam të drejtë që mendimet dhe besimin personal ta bëj publik dhe më keq akoma, të akuzoj pa asnjë kriter cilindo”. 

Provat të tjera 

Një dëshmitar tjetër i dytë, gjithashtu i shkarkuar nga puna në Ministrinë e Punës, ka dhënë deklarime për Prokurorinë në interes të hetimit. Një tjetër provë ka qenë kontrolli i bërë në zyrat e kompanisë private që ka përgatitur spotin e festës së 1 Majit 2010. Sipas Prokurorisë, kjo kompani dorëzoi vetëm një CD me materialet e spotit dhe asnjë dokument që të tregonte se kishte aplikuar apo konkurruar zyrtarisht për pjesëmarrje në tender. Sipas hetimit, abuzimet me fondin 19.8 milionë lekë kanë ndodhur në tenderin e kryer me urdhrin e datës 26 prill 2010 të ish-ministrit Spiro Ksera, për ngritjen e komisionit për spotin e festës së 1 Majit. Komisioni përbëhej nga Murat Mehmeti kryetar, Kleves Bitro, F. Batusha, Ilir Ibrahimi dhe Besnil Dema, anëtarë. Më 29 prill 2010 janë protokolluar tri ofertat e kompanive që do të realizonin spotin dhe një ditë më pas është lidhur edhe kontrata mes Ministrisë dhe subjektit. Fatura tatimore është lëshuar nga kompania private me shumën 19.8 milionë lekë, kurse më 26 maj 2010 Ministria ka lëshuar urdhrin e xhirimit të fondit. Kjo ka treguar se konkurrimi ka qenë fiktiv dhe fituesi i paracaktuar, kurse dëmi është 9.2 milionë lekë të rinj. 

Gjykata lë në burg dy zyrtarët 

Dy nga ish-zyrtarët e Ministrisë së Punës të vënë në pranga nga policia tri ditë më parë, dolën dje para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë. Ilir Ibrahimi, 45 vjeç, drejtor i Përgjithshëm i Politikave në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Besnik Dema, 51 vjeç, përgjegjës i sektorit të financës të Ministrisë së Punës, u paraqitën dje në Gjykatën e kryeqytetit. Në një seancë formale, gjykata konfirmoi identitetet e tyre dhe më pas u njoftoi masën “arrest me burg pa afat”. Prokurori i çështjes deklaroi se dy të pandehurit akuzohen për shkelje të barazisë në tendera, shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Ndërkohë nga të akuzuarit, Ilir Ibrahimi kërkoi përmes avokatit lirimin nga burgu dhe caktimin e një mase më të lehtë sigurie. I akuzuari tjetër, Besnik Dema, kërkoi edhe ai lirimin nga qelia duke thënë se tenderi është zhvilluar në rregull, sipas ligjit dhe nuk ka pasur asnjë shkelje. Prokurori u deklarua kundër këtyre kërkesave dhe i sugjeroi gjykatës që të linte në burg të akuzuarit. Në seancën e djeshme u deklarua mungesa e dy të akuzuarve të tjerë, Kleves Bitro dhe Murat Mehmeti, tashmë të shpallur në kërkim, pasi nuk janë gjetur në banesa nga ana e policisë. 

Dy nga të kërkuarit dyshohet se janë larguar jashtë vendit 

Tetë ish-zyrtarë të Ministrisë së Punës janë nën hetim nga Prokuroria në lidhje me abuzimet me fondet dhe tenderat në këtë dikaster. Dy prej të akuzuarve janë arrestuar, dy të tjerë janë shpallur në kërkim dhe katër persona janë pezulluar nga detyra, kurse ndaj tyre është vendosur masa e detyrimit për t’u paraqitur në polici një herë në javë. Dy nga personat e shpallur në kërkim janë Kleves Bitro, 37 vjeç, ish-shef i Kabinetit të Ministrisë së Punës me masë sigurie nga gjykata “arrest me burg” dhe Murat Mehmeti, 49 vjeç, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punës, me masë sigurie nga gjykata “arrest me burg”. Të dy ata dyshohet se janë larguar jashtë Shqipërisë disa ditë para arrestimeve të kryera nga policia. Njëri prej personave në kërkim besohet se është larguar në SHBA dy javë më parë, kurse për Kleves Bitron nuk ka ende ndonjë informacion të saktë. Pas mosgjetjes së tyre në banesë nga policia dhe “deklarimit të ikjes” nga Gjykata, pritet shpallja e tyre në kërkim ndërkombëtar.