TEUTA-VLLAZNIA 3-2
DURRES, 6 tetor 2013 – Një ndeshje e mbushur plot me emocione, që ka dhuruar spektakël dhe përmbysje të pabesueshme.
Triumfon më së fundi Teuta e Gugash Maganit, që nuk ka lejuar të lëshojë terren në lidhje me kreun. Daniel Xhafaj, kryegolashënuesi i Superiores me 6 gola, mund rivalin kuqeblu, Bushic, me një gol më pak. Dy dopieta, për secilën skuadër, me autorë këta dy futbollistë të spikatur në kampionatin shqiptar, Daniel Xhafajn dhe Bushic. Pika kyce e ndeshjes mund të konsiderohet aktivizimi i Mancakut nga trajneri Magani, në kohën kur rezultati ishte 2-1 për kuqeblutë.
Nga këmbët e veteranit durrsak gatuhen dy golat e përmbysjes, fillimisht përmes një krosimi perfekt nga e majta e sulmit të tij për të shkodrani Nika, që në ecje e sipër godet rreptë dhe barazon shifrat, pastaj në pasimin e zgjuar për tek autori i golit të dytë durrsak, që bën të njëjtën gjë në asistimin e Daniel Xhafajt. Vlonjati vulos fitoren rokamboleske të “djemve të detit” në minutën e 83-të, duke mos lejuar që skuadra e tij të dilte me vetëm një pikë nga ndeshja e javës së 7-të, e fundit që durrsakët luajnë në Kavajë si pritës, pasi “Niko Dovana” do të jetë tashmë gati për të besuarit e Maganit. Po si nisi kjo ndeshje, që minutë pas minute shtoi luftën e fortë sportive dhe antagonizmin në fushën e blertë.
Durrsakët janë më kërkues në startin e lojës, duke qenë në udhëheqje të topit në pjesën e parë, derisa gjejnë edhe golin me Daniel Xhafajn në minutën e 18-të. Reagojnë kuqeblutë e Canajt, që bëjnë cmos për t’i barazuar shifrat, përmes daljes së Krujës dhe Bushicit në kundërsulm, por për këtë fraksion loje nuk ka gol tjetër. Teuta shkon në pushimin 15-minutësh mes dy pjesëve në avantazhin minimal. Udhëzimet e trajnerit Canaj kanë ndryshuar shumë gjëra te Vllaznia, e cila del me mendje të mbledhur në pjesën e dytë. Shkodranët e spostojnë lojën në gjysmëfushën durrsake, duke mundësuar edhe barazimin në minutën e 54-t.
Është pikërisht sulmuesi Bushic, ai që e dërgon topin në rrjetën e Rizvanit, duke rihapur gjithcka. Nuk vonon shumë dhe i njëjti lojtar e kalon Vllazninë në avantazh Bushic në minutën e 62-të, duke i goditur jo pak psikologjikisht durrsakët. Ata nuk e marrin veten për rreth 10 minuta, cka nis me gafën e Rizvanit në rastin e golit të dytë të kuqebluve dhe vijon deri në momentin kur Magani vendos të hedhë në lojë Mancakun. Ky i fundit e ndryshon tërësisht lojën e të tijve, i jep frymëmarrje asaj dhe asiston në dy golat e përmbysjes së Teutës, që eviton kësisoji një disfatë të mundshme në Kavajë dhe merr tri pikë të tjera, që e mbajnë në krye të klasifikimit.





